Pajisja e re mbërrin në Shqipëri, më shumë se 4 mijë teste në 24 orë

Në studion e emisionit “Opinion” Drejtori i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu u shpreh se institucioni që ai drejton ka mundësuar sigurimin e një pajisjeje, e cila lejon një testim të shpejtë në analizat për koronavirus. Kjo pajisje, tashmë e përdorur edhe në vende të tjera, mundëson realizimin e më shumë se 4 mijë testeve në 24 orë.

Allajabeu tha se javën e ardhshme pritet të vijnë edhe reagentët për përdorimin e kësaj pajisjeje, ku përgjigjet e testit sigurohen për 2 orë. Por mjeku tha se pritet të fillojnë edhe testimet e shpejta që bëhen nga gjaku dhe ku përgjigjet dalin për 10 apo 15 minuta.

“Kemi përgatitur Spitalin Amerikan 2, ekipi është trajnuar. Nuk mendoj se do të kemi mangësi me mjekët e reanimacionit, shpresoj që do të përballemi me sa më pak probleme”, tha Allajbeu lidhur me situatën e krijuar nga koronavirus në vend.

“Sot gjithë bota është në hall të materialeve që duhen për t’u përdorur, por shoh se kjo javë është më e mirë se një javë më parë dhe java pas saj do të jetë më e mirë. Pas dy javësh kur ne do të jetojmë pikun, besoj nga fundi i majit, gjërat do të jenë më të qeta dhe do të fillojë ambjentimi i jetës së njerëzve me virusin”, u shpreh Allajbeu./Opinion.al