I la prindërve një tortë te dera dhe fillon të qajë/ Ermal Mamaqi: Ditëlindja më e trishtuar

Ndryshe nga postimet e tij të zakonshme ku mbizotëron humori e situatat nga më të ndryshmet, aktori Ermal Mamaqi përmes një postimi në “Instagram”, ka rrëfyer një moment prekës nga dita e sotme, kur kishte shkuar t’ju çonte tortën e ditëlindjes.

Për të kjo ka qenë ditëlindja më e trishtë ndonjëherë. Ai nuk e festoi me prindërit e tij, për shkak të situatës në të cilën ndodhemi për shkak të virusit vdekjeprurës.

Ai tregon sesi ata filluan të qanin, kur ua la tortën te dera dhe komunikuan nga larg. Donte të përqafoheshin, por nuk mundeshin dhe e gjitha kjo situatë i ngjante si një film dramatik.

Postimi i plotë i Ermal Mamaqit:

“Miq faleminderit per urimet. Padyshim ditlindja me e trishtuar.

Desha të ndaj diçka me ju…

Sot paradite vajta te shpia e prindërve dhe u lashë një tortë te dera. Zbrita 10 shkallë. Prita sa e hapën derën. I fola nga poshtë… filluan të dy të qanin. Une prita te shkoj ne makine qe te nxjerr lotet. Nuk di si t’ju them, dhe tani që po shkruaj më mbushen sytë. Si film dramatik. 2 min qëndruam, ata në derë e unë poshtë shkallëve. Cudi e madhe, kemi qendruar larg njeri-tjetrit shumë herë më gjatë se kaq, dhe s’ka qenë shumë problem (të pakten nga une), por sot ishte ndryshe. Sigurisht, gjithë kjo lemeri që po ndodh. Donim të perqafoheshim dhe nuk mundeshim. Se ku i dihet… Mund të jetë në trupat tanë dhe po ja ngjisim tjetri… Nuk e kisha menduar që do jetonim kto kohë. Por është mirë.

Po ndjejmë përsëri mall për njëri-tjetrin. Po prekim ca dhoma të zemrës që ishin me pluhur. Dhe si gjithmonë në këto raste po bëhemi pishman për idiotësitë që mërziteshim në kohë paqeje.

E di qe dhe juve ju mungojne familjarët më shumë se kurrë këto ditë. E di që mund t’i keni lënë në shpitë e tyre. Ka disa që jetojnë vetëm atje ku janë… Qëndroni të fortë.

Prapë jam i lumtur. Po pres… Është duke ardhur diçka shumë e mirë… Mos harroni. Dhuratat vijnë përmes problemeve.

Ju përqafoj!