DENONCIMI/ Kos i mykur i ZEPA natyral shitet në supermarkete

Në këto ditë të izolimit të qytetarëve për shkak të situatës me koronavirusin, konsumi i produkteve ushqimore është rritur ndjeshëm. Por fatkeqësisht, ka dhe raste kur paguhet për një ushqim dhe ai të del i mykur, edhe pse është brenda datës së skandencës të vendosur nga prodhuesi.

Një rast i tillë është denoncuar nga një qytetar tek portali Jeta Osht Qejf (JOQ) dhe ka të bëjë me kosin e frutave të kompanisë ZEPA natyral. Qytetari ka postuar foto të produktit që i ka dalë i mykur, që sic thotë ai vetë është brenda datës së skadencës 21.04.2020.

Gjithashtu qytetari publikon edhe faturën për të dëshmuar shqetësimin e tij.

POSTIMI I PLOTË I QYTETARIT

“Prsh joq! Ju duket normale te blesh kos frutash Zepa natyral tek supermarket Ana Market(Rruga 5 Maj mbrapa Concord Center) dhe te dalin te mykura dhe me daten e skadences 21.04 2020.. Nuk e di nese problemi eshte i prodhuesit apo i stoqeve te supermarketeve!”

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për kompaninë ZEPA natyral, në pronësi të Nikolin Jakës, kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Kujtojmë që pak kohë më parë, po në portalin JOQ u publikua një video ku dallohej qartë sesi në furgonin e ZEPA natyral që prodhon bylmet futeshin carcafët e palarë të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT), ku shërbimin e larjes së tyre e ka me tender po Nikolin Jaka.

“Nikolin nikoqiri fut carcafët e palarë të QSUT tek furgoni i ZEPA natyral, pastaj kërkon ti blejnë kosin” është citimi që shoqëron videon. (Marrë nga JOQ)