“Boll me pazare për Reformat!” Pas deklaratës së ambasadores Kim, vjen përgjigja ‘rrufe’ e Metës

Ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim, bëri sot një deklaratë të fortë ku tha se nuk duhet të bëhen më pazare me Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore.

Ndërkohë presidenti Meta është pyetur në lidhje me këtë mesazh të ambasadores në konferencën që po zhvillon aktualisht, duke thënë se është dakord që këto lojëra me drejtësinë duhet të marrin fund, pasi sipas tij pas 4 vitesh ende nuk ka një produkt konkret.

“Ambasadorja ka të drejtë. Mjaft më me lojëra. Kanë kaluar katër vite dhe nuk po shohim asnjë rezultat”-tha Meta.

Më tej, ai theksoi se do kërkojë hetim ndërkombëtar.

“Hetim si ishin ligjet, si ishin ligjet e miratuara në mënyrë konsensuale në parlament dhe sesi janë zbatuar”-u shpreh kreu i shtetit.

Po ashtu ai tha se përgjegjësit që bëjnë gjëra pas krahëve të shqiptarëve duhet të përgjigjen. Ai tha se tashmë maskat kanë rënë.

“Unë nuk po negocioj, dua plotësimin e 14 pikave. Këto i dinë ambasadorët e BE dhe SHBA. Ilir Meta do ta diskutojë këtë çështje, dhe është i gatshëm që të kërkojë hetim për reformën në drejtësi. Ilir Meta është ballë lartë pasi ka kërkuar transparencë. Maskat kanë rënë tani, përgjegjësinë ta marrin ata që bëjnë gjëra pas kurrizit të shqiptarëve.”-deklaroi Meta.