Hapur nga 1 qershori/ Rregullat e reja për kopshtet dhe çerdhet, ja si do të funksionojnë

Pas më shumë se dy muajsh të mbyllur, nga data 1 qershor do të hapen kopshtet dhe çerdhet në të gjithë vendin.

Ndërkohë sipas një udhëzimi të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe drejtoreshës së ISHP Albana Fico, kanë dalë dhe rregullat përkatëse që do të ndiqen në këto ambiente për të siguruar shëndetin e fëmijëve.

Kështu, mësohet se fëmijët do të duhet të qëndrojnë në një distancë prej 1.5 metra, ndërsa paraqitja e tyre në kopshte dhe çerdhe do të bëhet në bazën e një grafiku.

Në udhëzim përcaktohet se stafet që shërbejnë në këto institucione duhet të jenë të pajisur me mjetet mbrojtëse, sikundër ambientet do t’i nënshtrohen dezifektimeve.

Prindërit do të duhet që çdo ditë të plotësojnë formularin e vetë-deklarimit mbi gjendjen shëndetësore të fëmijës, duhet të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të prekur nga Covid-19, sikundër nuk i lejohet që për asnjë arsye të futet të ambientet e brendshme të kopshteve dhe çerdheve.

Në rast se fëmija paraqet shenja të temperaturës apo të tjera rreth virusit Covid-19, prindi duhet të shkojë menjëherë, pas njoftimit nga stafi i kopshtit apo çerdhes, për të marrë fëmijën.

Edukatoret duhet t’u lajnë duart fëmijëve para dhe pas ngrënies, sikundër duhet të pastrojnë sipërfaqet apo objektet që preken nga fëmijët para dhe pas prekjes.