Ndërtoi objekt pa leje në bregdet, procedohet peonari i resortit në Drimadhe

Një tjetër subjekt është kapur në shkelje dhe është gjobitur në zonën e Drymadës, Himarë.

Subjekti privat ka bërë ndërhyrje të paligjshme në sistemimin e plazhit bregdetar duke rindërtuar me dërrasa një object në plazh, pa leje nga autoritetet përkatëse. Resorti në fjalë është në pronësi të shtetasit A.K.

Komisariati i Policisë Himarë ka nisur procedimin penal ndaj pronarit të subjektit për veprën penale “Shpërdorim i tokës” dhe “Ndërtim pa leje”.

Inspektoriati Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit ka ndëshkuar subjektin me masë administrative-gjobë 2.500.000 për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, për kundravajtjen, IKMT ka nisur procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi dhe sanksionoi me vendim subjektin kundravajtës.

Policia e Shtetit dhe IKMT u bëjnë thirrje gjithë subjekteve të tregojnë kujdes maksimal me pronat publike, pasi në të kundërt do përballen me pasojat conform ligjit.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo lloj shkelje apo dëmtim të mjedisit në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.