Akademik Anastas Angjeli: Kriza vazhdon. Sfida dhe oportunitete

Kriza e Koronavirusit, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizon konferencën shkencore

Akademik, Prof. Anastas Angjeli

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi Konferencën  Shkencore  me temë: “Kriza e Koronavirusit Sfidat dhe efektet  ekonomike dhe sociale të saj në (nivel global) dhe Shqipëri, çfarë do të ndodhë?”. Me praninë e gjerë të ekspertëve të fushës, në këtë konferencë morën pjesë: Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Skënder Gjinushi, Rektori i Universiteti Mesdhetar  Prof. Dr. Adrian Civici, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. As. Përparim Kabo, Dekan i Fakultetit të Shkencave  Psikologjike, Sociale dhe Politike, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Themeluesi i UMSH-së Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli në fjalën hapëse të conferences, vuri theksin se punimet e kësaj conference  kanë si synim t’i japin përgjigjie një sërë pyetjesh të ngritura  mbi pasojat e krizës ekonomike si pasojë e Covit-19 në nivel global dhe  Shqipëri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, përshëndeti  punimet e konferencës. Ndonëse jo e pranishme fizikisht për shkak të një angazhimi tjetër, me anë të një fjale online, ajo kërkoi kontributin e akademikëve dhe ekspertëve për t’i ardhur në ndihmë qeverisë në hartimin e politikave sa më efikase në menaxhimin e Krizës. Kryetari i Akademisë së Shkëncave të Shqipërisë, Prof.Dr Skënder Gjinushi theksoi në fjalën e tij se kontributi i kërkimit shkencor veçanërisht në situata të tilla është domosdoshmëri, ndaj ai vlerësoi konferencën dhe punimet e saj në funksion të përpjekjes  së përbashkët  të të gjithë shoqërisë  e gjithë institucioneve për të kapërcyer sfida të tilla. **

Kriza  sanitare e Covid-19 apo kriza ekonomike? Apo të dyja bashkë? Karantinim apo hapje? Hapje graduale apo e menjëhershme? Njeriu apo ekonomia? Injektim i ekonomisë apo jo? Papunësi dhe varfëri apo punësim dhe mirëqenie? Cilët jane faktorët ndërveprues mes pandemisë dhe krizës ekonomike? A ka një metodologji? Si dhe kur do të dilet nga kjo krizë?

Ndërsa pyetjet janë me dhjetëra e dhjetëra, pandemia e Covid-19,  ka përfshirë gjithë Globin dhe ka marrë shumë jetë njerëzish. Duke iu referuar të dhënave të OBSH-së, deri më 25 Qershor 2020, numri i të infektuarve nga pandemia e koronavirusit, arriti në 9.7 milionë, duke marrë jetën e 470.000 njerëzve. Dhe pas kësaj, ekonomia. Recesioni ekonomik  dhe valët e tij goditën ekonominë  europiane, eurozonën, dhe më pas ekonominë globale.Padyshim dhe ekonominë dhe financat e vendit tonë, e cila pritet të ketë një recension  5 %.. Tregjet financiare u tronditën rëndë, bile edhe më rëndë se kriza financiare globale e vitit 2008. Qeveritë u “alarmuan” dhe “vrapuan” të miratojnë paketat e “ndihmës” apo të “shpëtimit”, duke injektuar mijëra e miliarda euro apo dollarë në ekonomitë e tyre. Grupimet e mëdha shtetërore si G7 apo G20, Institucionet ekonomike financiare ndërkombëtare dhe Bankat Qendrore,  filluan prodhimin “e recetave” për menaxhimin e situatës. 

Por tashmë kriza ka ndodhur dhe po vazhdon., është bërë fakt. Grupimet më  të mëdha  mediatike botërore  vazhdojnë  të kenë kryefjalë  të njoftimeve  të  tyre “Pandeminë e koronavirusit” dhe pasojat e saj, krizën ekonomike e financiare globale, papunësinë dhe varfërinë, një Botë që po ndryshon shumë shpejt, duke evidentuar sfida dhe ndryshime të mëdha për të ardhmen.

Metodologjia

Pak para shpërthimit të  Pandemisë Covid-19, shumë studiues kanë debatuar gjatë për treguesin  “Smart Bubble Risk Index”,  i cili në vitin 2020,  regjistron nivelin rekord të rrezikut global duke u rritur për më shumë se 20% në krahasim me nivelet e regjistruara në 2017. Ky index risku, merte parasysh ndikimin e të ashtuquajturave “fluska ekonomiko-financiare” në ekonominë globale, ndikimin e ndryshimit të klimës, sjelljet në katastrofat natyrale, luftrat rajonale, fenomenet e rënda të terrorizmit, etj.  Pandemia e Covid-19,  risolli përsëri në debatin ekonomik botëror,  problemin e matjes së riskut në forma të reja dhe në kushte të reja. Vërejtja kryesore është se “Rrethanat ekstreme”, të përfaqësuara  nga urgjencat si kjo e koronavirusit, vë në dyshim seriozisht shkallën e rezistencës së sistemeve tona ekonomiko-sociale. Për këtë arsye është e nevojshme të gjendet një zgjidhje alternative me një qasje të re të administrimit të riskut, në mënyrë që të kufizohen efektet negative në strukturën socio-ekonomike.

Për më tepër, masat e bashkërenduara janë thelbësore për të shmangur rrezikun e një krize të paparë ekonomike, që fillon me shëndetësinë,vazhdon me ekonominë  dhe mbaron me varfërinë. Medologia e realizimit të këtij studimi është krahasimi i modeleve të politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi në efektin risk-benefit,  duke analizuar veçoritë e zbatimit të tyre në vende të ndryshme, por, nëpërmjet studimit të ndikimit të faktorëve të njëjtë. Në thelb në aspektin metodologjik,  krahasohen format e njëjta të levave ekonomike, faktorët e njëjtë të ndikimit dhe devijimet reale nga pasojat e pritshme.

E përbashkëta e politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi dhe veçoritë e krizës së pandemisë.

Të gjitha vendet në kushtet e pandemisë ndërtuan masa(paketat e ndihmës) që të injektojnë në ekonomi shuma të mëdha monetare. Pothuajse në të gjitha vendet europiane masat e politikave aktive kanë një produkt final , që të hedhin në treg një shumë parash, që sipas sistemit të multiplikatorit të përllogaritet nga 10-15% e GDP-së së tyre. Aq e vërtetë është kjo, sa për herë të parë në historinë moderne të Europës së Bashkuar, u ndalua dhe ruajtja e parametrit  të kompaktësisë ekonomike te deficitet dhe borxhit në vendet e CE-së. Krahas kësaj,  shumë organizma ndërshtetërore ndërtuan sisteme për nxitjen e kredive apo “Fondeve të Humbura”për bizneset e vogla dhe të mesme, në shuma kolosale. Me këtë, synohet ruajtja e vendeve të punës, ngadalësimi i rënies ekonomike, por mbi të gjitha zhvillimi i kontrolluar i ristrukturimit  të ekonomisë.

Shumë specialistë mendojnë që kjo politikë pati sukses në dy krizat e mëparshme dhe rikthehu ekonominë nga kahu i zhvillimit. Po cilët janë elementët e përbashkët të kësaj krize me krizat paraardhëse?  Çfarë na mëson kriza financiare e vitit 2008 me “Liman brother” dhe ajo e borxheve shtetërore me në qendër Greqinë, Portugalinë, Qipron dhe Irlandën e vitit 2011? Nëse kriza e vitit 2008, ishte një krizë në sistemin e kreditimit e  karakterizuar në mënyrë figurative  grafike me gërmën V, pra rënie të shpejtë dhe rritje të shpejtë,  ajo e vitit 2011, ishte në sistemin e gërmës U, pra rënie, një depresion  të gjatë, rreth 3 vjet, (Portugalia dhe Irlanda) deri në 6 vjet (Greqia) , dhe pastaj një rritje me ritëm shumë gradual.

Analizat  makroekonomike  sipas  tregjeve

Ekipet e specialistëve të OECD-së,  kanë bërë një analizë dhe krahasim të parë të këtyre masave. Ka analiza të masave dhe politikave të vendeve te ndryshme (anëtare të OECD-së) mbi bazën e informacionit të disponushem, si edhe vëzhgime me detaje të mëtejshme rreth politikave në secilin vend. Duke pasur parasysh situatën në zhvillim, këto vëzhgime nuk janë dhe nuk mund të ishin gjithëpërfshirëse. Faza e shpërthimit ndryshon shumë nga një vend në tjetrin dhe përgjigjet e politikave janë shumë specifike për kontekstet kombëtare. Nuk ka, për shkak të kohës së shkurtër në dizpozicion,(6-të muaj nga fillimi i këtij viti, ku u shfaqën shenjat e para të kësaj krize),  asnjë vlerësim apo gjykim të plotë, të bërë në këtë fazë mbi efektivitetin e masave të tilla. Gjithësesi, analiza e instrumenteve të përdorura dhe e modeleve të zbatuara evidenton cilat janë instrumentet më të përdorura në përgjigje të pandemisë dhe efektet e pritshme të tyre.

Metamorfozat e pritshme të tregut të punës.

Me rënien e prodhimit dhe kërkesës, shumë shoqëri përballen me sfida masive në pagimin e pagave, jo vetëm për punëtorët e sëmurë, (prekur nga COVID-19) dhe edhe për ata që ndenjën jashtë aktivitetit për efekte të pandemisë. Qeveritë kanë marrë masa për të kontribuar në pagesat e pagave për punonjësit përkohësisht pa punë, ose me leje të sforcuar. Qasjet e vendeve ndryshojnë shumë, duke pasur parasysh se në tregun e punës dhe të sigurisë sociale,  institucionet janë të ndryshme, që do të thotë se masat e mundshme dhe të nevojshme mbështetëse, ndryshojnë. Në disa raste, pagesa u drejtohet kompanive, për t’u mundësuar atyre që të vazhdojnë të paguajnë pagat dhe shmangin pushimet nga puna. Në raste të tjera, qeveritë kontribuojnë direkt tek të punësuarit,  duke bashkëvepruar me bankat dhe zyrat e punës.

Mundësitë për shkurtimin e përkohshëm të orarit të punës, ose tepricën e punonjësve, janë një opsion për shumë shoqëri që të përballojnë përkohësisht ndikimin e pandemisë dhe pati në shumë vende ndërhyrje shtetërore  në  këtë drejtim. Shumë shtete për punonjësit që kaluan nga kontratat me kohë të plotë, në kontrata me kohë të pjesshme, financuan në nivele të ndryshme si sigurimet shoqërore, ashtu dhe pjesë të pagës së humbur. Disa të tjerë i kushtuan vëmëndje dhe tregut informal të punës. Ekziston një ndryshim i madh në formën dhe masën e kontributeve financiare të qeverisë në kostot që lidhen me pagat për shkak të papunësisë pjesore ose të përkohëshme, etj.

Politika e ndërhyrjes shtetërore në tregun e punës nëpërmjet financimit të pagave,(të plotë ose të pjesshëm) plotësimit të fondeve për asistencën sociale,trajnime për ripunësim në një treg pune që ndryshon me shpejtësi, etj, u shoqëruan dhe me rritjen e dukshme të formave të reja të punës që në gjuhën e përditshme u quajtën “smart ëork”. Këto forma të “zgjuara të punës” sollën diskutimin mbi aftësinë konkuruese dhe kostot e punës. Në shumë vende u evidentua tendenca për të tkurrur pagat dhe për të ulur orët e punës, apo zgjerimi i zhvilimit të “punës nga shtëpia”etj.  Mendohej  nga specialistët se diçka e tillë do të rriste rendimentin e punës dhe mbi të gjitha shkallën e konkurencialitetit të tregut të punës. Pra do të ketë rënie të kostos së punës.

Sa e vërtet është kjo aktualisht, vështirë me të dhënat që kemi në dispozicion të nxjerim konluzione.  Pyetja kryesore  këtu është:  A do të sjellë kapërcimin e krizës ulja e kostove në tregun e e punës?  Në ndihmë të biznesit të vogël dhe të mesëm pothuajse të gjitha vendet, përfshi dhe vendin tonë, morën masa për shtyrjen e taksave, pagesa e sigurimeve shoqërore, pagesa e borxhit, pagesa e qerave dhe shërbimeve utilitare. Shumica e vendeve  të OECD-së  kanë vendosur masa që lejojnë SME-të  të shtyjnë pagesat, në mënyrë që të shmangin më tej problemet e likuiditeteteve të tyre. Gjithashtu, kanë shpallur shtyrje të tilla në pagesën e taksave të korporatave dhe tatimeve të të ardhurave, ndërsa disa vende përfshijnë TVSH-në,  sigurimet shoqërore dhe kontributet e pensioneve. Shtrirja dhe kohëzgjatja e masave të shtyrjes, ndryshon në varësi të vendit, megjithëse në të gjithë vendet, intensiteti i masave të shtyrjes – të cilat në shumë raste ishin masat e para të reagimit ndaj krizës – është rritur. Përsërisim dhe në këto raste pyetjen e mësipërme: A do të sjellë kapërcimin e krizës ulja e përkohshme e kostove funksionale të shoqërive?

Faktorët që ndikojnë në kapërcimin sa më të shpejtë të krizës nga Covid-19.

Në shumicën e vendeve të EBRD-së, siç raportohet në të dhënat zyrtare, shpërthimet e Covid-19 kanë qenë më pak të rënda sesa në disa nga vendet e zhvilluara të Europës, Shtetet e Bashkuara dhe në disa tregje në zhvillim (siç është Brazili). Pjesërisht, kjo mund të jetë për shkak të densitetit të ulët të popullsisë. Dendësia e popullsisë konsiderohet një nga faktorët që ndikon në përhapjen dhe kohën e zgjatjes së epidemisë. Megjithëse provat empirike për lidhjen midis epidemive dhe dendësisë së popullsisë janë disi të përziera, vëzhgime të kohëve të fundit tregojnë një lidhje të ngushtë të këtyre parametrave. Në veçanti, për të reflektuar masën e densitetit, popullsia duhet jetë e shpërndarë sa më uniformisht që të jetë e mundur.

Nëse popullsia e një hapësire të madhe është përqendruar në qytete të mëdha, dendësia mesatare e saj bëhet e pakuptimtë. Duke marrë parasysh këtë, përhapja e epidemive është me të vërtetë e lidhur ngushtë me dendësinë e popullsisë.

Vdekshmëria. Një faktor që ndikoi shumë në thellësinë e krizës dhe mbi të gjitha në paralizimin e ekonomisë,  ishte vdekshmëria. Për  vendet ku janë  të disponueshme  të dhëna për numrin e shtuar të vdekjeve ,(në krahasim me të dhënat e vdekjeve në shumë vite – modelet stinore afatgjatë), vdekshmëria e shtuar,  duket se është dukshëm më e ulët në vendet me më pak dendësi popullate, siç janë Gjermania dhe Suedia (Grafiku 1). Dendësia këtu matet sipas konceptit  të perceptimit nga banorët: numri mesatar i njerëzve që jetojnë në një rreze prej 5 km nga secili individ (ponderuar me distancën). Ky tregues jep një pamje ndryshe të shpërndarjes së popullsive. Për shembull, megjithëse Mongolia ka dendësi shumë të ulët të popullsisë, më shumë se gjysma e popullsisë së saj, është e përqëndruar në Ulanbator, kështu që dendësia e popullsisë siç perceptohet nga një banor, (dhe siç ndikon në transmetimin e virusit) është në të vërtetë mjaft më e lartë.

 Grafiku 1. Vdekshmëria e shtuar dhe dendësia mesatare e popullsisë e lokalizuar.[1]

Shtruktura banuese e popullsisë dhe shpërndarja e sëmundjes nëpër qytete është e lidhur ngushtë me madhësinë e qyteteve. Vihet re se rritja e madhësisë së qyteteve, nuk është proporcionale me rritjen e infeksioneve, sipas numrit të popullsisë. Këtë e vërtetojnë dhe modelet matematikore të analizës së shkallës së infeksionit.

Grafiku 2. Pjesa e popullsisë që jeton në qytetet me mbi 300,000 banorë, 2020 (në përqindje)

Struktura Demografike është një faktor tjetër që ndikon në shkallën e krizës dhe thellësinë e saj. Vetë karakteristikat e sëmundjes dhe preferencat e saj, kanë të bëjnë shumë me moshën. Covid-19 duket se ka simptoma më të rënda te njerëzit e moshuar, duke nënkuptuar se personat e moshuar do duhet të praktikojnë distancimin shoqëror për kohë më të gjatë dhe të pakësojnë udhëtimet ose frekuentimin e lokaleve. Nga njëra anë ata e thellojnë krizën, se rrisin numrin e të sëmurëve, nga ana tjetër vështirësojnë daljen nga ajo. Në këtë drejtim, strukturat demografike në Europën Qendrore, vendet Balltike dhe Europën Jug-Lindore, janë pak a shumë të ngjashme me ato në vendet e zhvilluara të Europës, megjithëse në përgjithësi brezat më të vjetër në ekonomitë e zhvilluara mund të kenë pasuri dhe fuqi blerëse më të madhe në krahasim me brezat më të rinj.

 Grafiku 3. Pjesa e popullsisë mbi moshën 70 vjeç, 2017 (përqindje)[2]

Elasticiteti  i tregut të punës. Në vendet ku distancimi shoqëror ishte për nje kohë relativisht më të shkurtër, rimëkëmbja pritet të jetë më e shpejte, atje ku kufizimet e përkohshme në punë ishin më të gjatë në kohë,  krizat priten më të mëdha. Nga ana tjetër element i rëndësishëm  ishte elasticiteti i mardhënjeve  të punësimit. Për shembull, atje ku vetëm një pjesë e vogël e të punësuarve ishin në punë me kontrakta të përhershme, si në Azinë Qendrore dhe Mesdheun Jugor dhe Lindor pandemia goditi më pak, ndërsa, aty ky kontratat e punës ishin të përhershme dhe masive pandemia goditi më shumë si Anglia, Polonia, Italia, etj. Sigurisht që matjet janë bërë me tregues relative për 1000 të punësuar dhe në këtë faktor është vështirë të analizohet madhësia e ndërmarrjeve dhe numri mesatar i punëtorëve në to.

Grafiku 4. Pjesa e të punësuarve me kontrata të përhershme (përqind)[3]

Grafiku 5. Pjesa e punësimit në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (përqindje)[4]

Po në këtë drejtim ndikon dhe dhe raporti i të punësuarve dhe të vetpunësuarve.  Dhe ky është faktor i rëndësishëm që ndikoi në shkallën e infektimit, por, parashikohet të ndikojë edhe në kapërcimin e krizës sepse tregon qëndrushmërinë e bizneseve apo lehtësinë e ristrukturimit të tyre. Faktori i fundit që ne morëm në konsideratë për kapërcimin e krizës, ishte ndërhyrja e shtetit me financime të drejtpërdrejta në ekonomi. Në grafikun e mëposhtëm do të shohim se si BERZH-i me të dhënat e fundit të majit i klasifikoi vendet në aspektin e ndërhyrjes së tyre në ekonomi.

Grafiku 6. Mbështetja financiare si pjesë e PBB-së (përqindje)[5]

 

 

Përfundime

Duke përdorur të njëjtët faktorë që analizuam më lart, nivelin e politikave të ndërhyrjes në ekonomi, strukturën e ekonomisë shqiptare dhe disa tregues që lidhen me nivelin e eksportëve dhe ristrukturimin e ekonomisë mund të themi:

  1. Ekonomia shqiptare për nga struktura e popullsisë, e llojit dhe modeleve të biznesit dhe shpërndarjes gjeografike të popullsisë, ka mundësi  realitivisht  të ulta për t’u prekur thellë nga kriza  aktuale
  2. Duke parë masën e ndikimit të politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi, strukturën e borxhit publik dhe nivelin e investimeve publike, ka propabilitet të lartë që për kapërcimin e krizës të duhet një kohë e gjatë.
  3. Duke parë mundësinë e bankave për financime, nivelin e liberalizimit të ekonomisë, strukturën e ndërmarrjeve dhe kostot tatimore, Shqipëria ka mundësi të mëdha për kapërcimin e shpejtë të krizës.
  4. Duke parë stabilitetin politik, rajonin që e rrethon, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm, Shqipëria ka mundësi të vogla për kapërcimin e shpejtë të krizës.