EKSPERTIZA/ Ardian Çapja u qëllua me snaiper nga 346 metra largësi


Forcat speciale RENEA kanë kryer ekspetizën e atentati ndaj Ardian Çapjas, të ndodhur pak ditë më parë në Elbasan.

Në ekspertizën e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala përcaktohet distanca prej nga qëlloi snajperisti.

Bëhet fjalë për një largësi prej 346 metrash nga e cila është shënjestruar dhe më pas qëlluar 55-vjeçari, i cili u plagos rëndë por arriti t’i mbijetonte atentatit të tretë ndaj tij.

Në ekspertizën e kërkuar nga Prokurorët e Elbasanit, thuhet gjithashtu se Ardian Çapja u qëllua nga Kodra e Krastës.

Materiali i përgatitur nga RENEA është bërë pjesë e dosjes hetimore. 55-vjeçari, mësohet se nuk ka dhënë asnjë ndihmë për policinë dhe prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes.

Atentati ndodhi më 8 qershor kur Çapja ndodhej në një rrugicë jashtë banesës dhe u qëllua me një plumb në shpatull, shumë pranë zemrës. Ai u mjekua në Spitalin e Traumës për shkak të gjendjes së rëndë.

Autorët dogjën mjetin dhe armën në një zonë të pyllëzuar në periferi të Elbasanit. Policia ka shoqëruar disa persona për ngjarjen dhe ka dyshime se atentati ka ardhur për shkak të konflikteve nga e kaluara. /BW