Kadastra Shqiptare i bën thirrje banorëve: Bëni kujdes, persona të paautorizuar paraqiten si…

Kadastra Shqiptare i bën thirrje qytetarëve, që kanë prona në bregdet, të mos bien pre e personave që hiqen si punonjës të institucionit, që mashtrojnë qytetarët për regjistrimin e pronës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kadastra shkruan se “Prona do të shkojë te i zoti” dhe njofton të gjithë banorët e fshatrave bregdetarë Palasë, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, Vuno, Ilias, Nivicë dhe Lukovë të bëjnë kujdes duke dalluar mashtruesi nga punonjësit e vërtetë të Kadastrës, të cilët janë në foton më poshtë.

NJOFTIMI I PLOTË:

REGJISTRIMI I PRONAVE NE BREGDET

KUJDES!

Të nderuar qytetarë!

Prej gati një muaji Kadastra Shqiptare ka nisur procesin e rregjistrimit fillestar të pronave, në 8 zona kadastrale të Bregdetit: Palasë, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, Vuno, Ilias, Nivicë, Lukovë. Procesi po ecën me ritme normale dhe punonjësit tanë po trokasin në çdo derë, po takojnë çdo kryefamiljar dhe po masin cdo pronë.

Por me keqardhje konstatojmë nga banorë të zonës të cilët na denoncojnë raste, kur persona të paautorizuar paraqiten si punonjës të Kadastrës dhe premtojnë regjistrimin kundrejt shumave të parave. Eshtë shumë i vjetër ky kurthi i gjeometrit mashtrues që, me një metër në dorë, përpiqet të trembë ndonjë fshatar të lodhur.

Qytetarë,

Ju lutemi bëni kujdes! Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore qe do e provojnë dhe jo me gjoba të paguara njerëzve të panjohur.

Procedurat në terren do të ndiqen nga këta djem që shihni në foto, të cilët kanë të dukshëm elementët e identifikimit: Xhupat fluoreshentë të verdhë dhe mbajnë të gjoks librezën identifikuese me shenjat e kadastrës.

Mos pranoni t’i hapni derën askujt që pretendon se vjen nga Kadastra dhe nuk mban këto elementë dallues.

Denonconi në Policinë e Shtetit çdo rast që ju paraqiten persona të dyshimtë.

Ne jemi aty për të regjistruar pronën tuaj!

Mos u joshni!

Besoni tek procesi dhe Kadastra Shqiptare!

Punë të mbarë së bashku!