Lamaj tregon dinamikën e vra*jes në Laç: Ishim 4 veta, unë mora kapauçët dhe jelekët…

Eduart Lamaj ka treguar për prokurorinë gjithë dinamikën e ngjarjes së ndodhur në Laç, më 30 maj, ku mbetën të vdekur Bujar Lika dhe Paulin Marku.

Lamaj ka deklaruar se ka qenë në shtëpi, më pas ka telefoniuar shokët e tij, Klaudjo Pepkolaj dhe Olsi Vlashin, për t’i takuar. Ai thotë se këta 3 bashkë me një mik hipën në Golf 5 të zi, të cilin e kishte regjistruar në emër të Klaudjos dhe bënë një xhiro. Më pas ata e çuan Lamajn në shtëpi, ku ai përgatiti kapuçët dhe jelekët me mbishkrimin policia.

“Iu kërkova të shkonim tek lokali i shtetasit Arjan Allamani e t’i largonim klientët e t’i shkatërronim lokalin. Me Allamanin kisha konflikt që në 2007, në Itali, pasi Allamani më vodhi 3000-4000 euro”, ka deklaruar Lamaj.

Më pas janë nisur në drejtim të lokalit të Allamanit. Lamaj kishte me vete automatik dhe Lika pistoletë, ndërsa Oltion Vlashi dhe Klaudio nuk ishin të armatosur. Lamaj ka marrë automatikun dhe ka hyrë në lokal.

“Jam futur brenda dhe kam kërkuar me sy kamerierin. Në atë moment kam dëgjuar të shtëna me armë zjarri në drejtimin tim. Tentova të largohem, por isha plagosur në këmbën e majtë. Kam rënë përtokë dhe kam qëlluar me armën që kisha me vete. Nuk kam qëlluar gjatë kohës që isha në këmbë, vetëm në momentin kur u rrëzova. Nuk kam parë nëse kishte persona në lokal, por vetëm flakët e shkrepjes se një arme zjarri. Pasi mbaruan krismat, kam kërkuar ndihmë pasi nuk lëvizja dot. Në atë moment erdhi Ilir Lika”, ka thënë Lamaj.

Ilir Lika ka tërhequr Lamajn deri te makina, ku e ka futur në sediljen e pasme dhe e ka larguar. Në makinë kanë marrë edhe automatikun me të cilin qëlloi Lamaj. Pasi kanë lënë Lamajn në shtëpi, janë larguar me mjetin dhe automatikun në drejtim të paditur.

“Pasi shkova në shtëpi, familjarëve të mi iu thashë se jam vetëplagosur me armë zjarri dhe iu kërkova të mos më çonin në spital pasi mund të përfundoja në burg. Iu kërkova të m’i digjnin rrobat dhe që në atë moment kam qëndruar vetëm në shtëpi. Në darke kam parë në televizor se në lokalin ku ndodhi ngjarja ishin vrarë dy persona”, ka thënë më tej Lamaj.