Paketë ndihmë për punësimin, ministrja Denaj shpjegon se si do të funksionojë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte sot në Vlorë, ku foli për një draft të ri që po përgatit qeveria për të mbështetur ripunësimin pas pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19.

Ministrja foli për këtë draft, duke treguar se ai  do të jetë një gërshetim ndërmjet skemës së ripunësimit dhe asaj të formalizimit të krahut të punës.

Më tej ajo saktësoi se për secilën nga skemat do të ketë subvencionim të pagës apo sigurimeve shoqërore për punonjësit.

Po ashtu ministrja Denaj shtoi, se qeveria gjithashtu po mendon për skema grantesh dhe garancish, që pritet të gjejnë zbatim në planin e rimëkëmbjes 5-vjeçar dhe “Shqipëria 2030” që është ambicia e kryeministrit Rama për të qendruar në pushtet edhe për të paktën dy mandate të tjera.

“Jemi duke përgatitur një draft i cili synon një gërshetim të dy skemave të ripunësimit dhe formalizimit të krahut të punës. Në secilën nga skemat do të ketë kombinim të subvencionit të pagës apo sigurimet shoqërore për punonjësit për një periudhë kohe me kushtin që ju ta mbani për një periudhë më të gjatë kohe. Së dyti duam që të gjithë personat që punojnë në informalitet të kenë mundësinë të regjistrohen.

Mendojmë se do rrisim një numër më shumë në tregun e punës. Dhe së fundmi po mendojmë skema grantesh dhe garancish. Kemi lançuar vetëm skemat e garancisë. Skemat kërkojnë mbështetje nga donatorët dhe besojmë që në shqipërinë 2030 dhe planin e rimëkëmbjes 5 vjeçar do gjejnë zbatim”, tha Denaj.