Aksion i befasishëm në Tiranë. Në pranga dy persona, ja çfarë zbuloi policia

Një aksion i befasishëm anti-drogë është zhvilluar mesditën e sotmë nga Policia e Tiranës.

Mësohet se në pranga kanë rënë 2  persona, mes tyre një vajzë.

Ata janë shtetasit: – J. Q., 41 vjeç, i dënuar më parë dhe A. S. 37 vjeçe, të dy banues në Kombinat.

Operacioni i koduar “MIX” është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu është sekuestruar lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe marijuanë e përpunuar në formë çokollate, LSD, MDMA, metamfetaminë, fishekë luftarak, fara kanabis për kultivim, peshore elektronike dhe një sasi të hollash.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, cannabis sativa, si dhe llojeve të ndryshme të drogave sintetike, arrestoi në flagrancë shtetasit:

– J. Q., 41 vjeç, i dënuar më parë dhe A. S. 37 vjeçe, të dy banues në Kombinat.

Në rrugën “Komuna e Parisit”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi J. Q. dhe kishte pasagjere shtetasen A. S. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të sipërpërmendur dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar droga të llojeve të ndryshme si cannabis sativa, kokainë, metamfetamine dhe MDMA, peshore elektronike, fishekë luftarakë, disa aparate celularë dhe një sasi të hollash.

Nga informacionet e marra dhe veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi J. Q., së bashku me shtetasen A. S., merrej me shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, cannabis sativa dhe lloje të ndryshme të drogave sintetike në zonën e “Lulishtes 1 Maji” dhe në rrugën “Komuna e Parisit”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit J. Q., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe në ngarkim te shtetases A. S., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.