Dritan Leli tregon vitet në Sazan: Moti ndryshonte gjatë mesditës, në ishull ora ka ndaluar

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli ka sjellë një pjesë të historisë së ishullit të Sazanit. I ftuar në Real Story, Leli tregon misteret dhe kuriozitetet e ishullit magjepsës.

Dritan Leli ka jetuar për shumë vite në ishullin e Sazanit, pasi babai i tij ka qenë oficer marine.

Me shumë emocione ai ka treguar vendet kyçe të ishullit, ku ankoroheshin anijet, apo dhe mënyrën e jetesës. Të shoqëruar nga Lenci me një gomone ata kanë përshkruar një pjesë të ishullit prej 5.7 km katrorë.

Dritan Leli: Në të njëjtën mënyrë mbërrije dhe atëherë në Sazan. Anijet lëviznin çdo ditë që sillnin mallra për banorët.
Në fund fare kanë qenë 600 banorë që ishin të Sazanit. Kishte dhe plazhin e vet. E veçanta është që plazhet janë migruese, për shkak të erës, stuhive zhdukej ajo copë me rërë dhe dilte diku tjetër.

Sokol Balla: Ishulli i Sazanit është i vetmi në Shqipëri që ka një klimë subtropikale. Mikroklima e Sazanit e bën dhe më unikal.

Dritan Leli: Ishin ditë të rralla për ne që të shkonim në plazh dhe deti të ishte i qetë gjatë gjithë ditës. Zakonisht nga ora 11-12 prishej moti. Fëmijëria në Sazan kishte një dimension të çuditshëm.

Mënyra e edukimit tonë ishte një lloj edukimi ushtarak, rriteshim si në zonat kufitare. Edukimi në shkollë ishte i lidhur me atë që ishte Sazani.

Sazani ishte i fortifikuar dhe jetonim me një disiplinë dhe korrektesë për t’u marrë shembull. Ushtarakët ishin me një disiplinë të hekurt, pjesa më besuar e pushtetit të asaj kohe. Të gjithë ishin të përgatitur që të sakrifikonin çdo gjë. Dhe për ne ishin ato përgatitjet ushtarake, alarmet ushtarake.

Ajo që kam përjetuar me shumë emocion ato vite, ne ishim fëmijë dhe informacioni nuk ishte në detaje se dhe prindërit bënin biseda me shumë rezerva në familje, ka qenë mbërritja e një nëndetëseje në gjirin e Vlorës, amerikane dhe prindërit tanë ndenjën pothuajse gjithë kohës në det. Për 3 muaj thuajse nuk kanë ardhur.

Porti ka qenë i mbushur me anije luftarake. Aty është dhe moli i katër siluruesve. Këtu realizoheshin shërbimet e të gjitha anijeve.

Këtu kishte ndërmarrje që punonin, mbilleshin fruta perime, kishte bagëti, rezerva në tunele që mbaheshin për situatë emergjence.
Në Sazan ora ka ndalur para 30 viteve. Këtu nuk është ndërtuar asgjë. Interesante është konservimi i vendit, dhe kjo e bën interesant atë që ka ngelur në këtë vend. /BalkanWeb/