E fundit në aksin Elbasan-Peqin/ Makina përplaset me kamionin, shoferja “ngec” brenda mjetit

Një aksident automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin. Një makinë e bardhë, e drejtuar nga një femër është përplasur me një kamion me targa të Kosovës, në tentativë për të parakaluar.

Mjeti që drejtohej nga gruaja është përplasur me anësoret e rrugës dhe ka pësuar dëmtime të rënda.

Nga fotot e mëposhtme shihet qartë makina shumë e dëmtuar, ndërsa shoferja ende ndodhet brenda makinës. Përplasja e fortë ka bërë të mundur moshapjen e derës së shoferit.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka bërë të mundur hapjen e dyerve. Ndërkohë, shoferja është dërguar me ambulancë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.