“Nuk ia mbyllëm mikrofonin, e fiku vet”, reagon Ministria e Arsimit pas incidentit me gazetaren

Ministria e Arsimit ka reaguar në lidhje me incidentin që ndodhi ditën e sotme me një gazetare të Top Channel. Gazetarja e pyrti ministren në lidhje me rastin e fundit të abuzimit seksual në shkolla dhe menjëherë pas përgjigjes së ministers Shahini ajo nuk bëri më pyetje të tjera. Në media u aludua se stafi i Ministrisë së Arsimit i bllokoi asaj mikrofonin.

Ministria ka dalë në një deklaratë zyrtare ku thotë se gazetarja e mbylli vetë mikrofonin pasi interferonte zhurmën.

Reagimi i ministrisë:

Përshëndetje! Një reagim miqësor ndaj disa mediave që kanë raportuar sikur “sot gazetares së Top-Channel iu mor mikrofoni dhe nuk arriti të flasë dhe të shprehë ato që kërkoi të thoshte në konferencën për media”: e themi me bindje se NË ASNJË MËNYRË KJO NUK KA NDODHUR! Gazetarja në fjalë pyeti e foli duke e kërkuar mikrofonin dy herë, më pas e fiku vetë mikrofonin (për shkak të interferimit të mundshëm) dhe e mbajti në prehër të fikur. Ndërkohë, që dy gazetare të tjera kishin sinjalizuar për të marrë radhën për pyetje. Më pas ashtu ndodhi: vijuan pyetjet e radhës dhe nuk pati më asnjë kërkesë për pyetje nga ana e gazetares/gazetarëve. Ministrja nuk ia fik dot askujt mikrofonin. Jo vetëm ajo, por edhe i gjithë stafi i saj, nuk e ka në tendencë të merret me diçka të tillë e të pengojë mbarëvajtjen normale të punës, thelbësisht në funksion të mirë-informimit dhe edukimit të publikut. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, ju urojmë mbrëmje të qetë!

Sakaq, vetë gazetarja i është përgjigjur sërish duke i thënë që të merret me problemin dhe të mos hedhë shashka.

“Një këshillë miqësore nga gazetarja, merruni me problemin shqetësues të abuzimit në shkolla, mos hidhni shashka për të larguar vëmendjen”.