Situata në Spitalin Infektiv/ Ndërrojnë jetë 2 paciente gra, rritet numri i të shtruarve

Një lajm i hidhur vjen sot nga Spitali Infektiv.

Mësohet se dy pacientë të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID19.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë për një 74 vjeçare nga Shkodra dhe një 82 vjeçare nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv si pasojë e insufuciencës respiratore progresive.

Të  dyja ndodheshin në terapi intensive.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 45 raste pozitive.

Prej fillimit të pandemisë në Shqipëri kanë humbur jetën 65 pacientë.