Situate alarmante në Kakavijë/ Hajdari: Do bisedoj me homologë të Parlamentit grek për të ndihmuar

Situate vazhdon të mbetet e rënduar në pikun kufitare të Kakavijës, ku shumë qytetarë kanë mbetur të bllokuar prej 3 ditësh, duke pritur të kalojnë në shtetin grek.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe deputetja Rudina Hajdari, e cila shprehet se qeveria duhet t’i lërë pushimet dhe të hidhet direct në aksion për të zgjidhur situatën.

Hajdari i bën thirrje qytetarëve të Gjirokastrës që të ndihmojnë me ujë e ushqime dhe të mund të strehojnë fëmijë e të moshuar.

Deputetja shkruan se do të flaës me homologët e Parlamentit grek për të ndidhmuar në zgjidhjen e situatës.

Postimi plotë:

Jam shumë e shqetësuar për fatin e mijëra bashkëqytetarëve të cilët po vuajnë rradhët e stërgjata në Kakavije.

Së pari dua ti bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës të solidarizohen sa të munden me ata që kanë hall sot, duke dhuruar ujë e ushqime por edhe duke strehuar nëse munden fëmijët e të moshuarit.

Kur qeveria na lë në baltë, duhet të përkrahim fort njëri tjetrin.

Së dyti i bëj thirrje qeverisë të lerë pushimet dhe deklaratat boshe por te hidhet urgjent në aksion konkret për të zgjidhur këtë situatë.

Nuk është koha as për plazh e as për deklarata politike. Situata e krijuar po rrezikon jetët e njerëzve.

Së pari nga Covid, sepse grumbullimet janë masive dhe të pakontrolluara e së dyti nga temperaturat e larta dhe rreziku i dehidratimit, për shkak se nuk ka mundësi furnizimi me ujë të pijshëm.

Njerëzit kanë hall dhe e kanë urgjent!!

Personalisht do të angazhohem në biseda me homologë të Parlamentit Grek për të ndihmuar sadopak në zgjidhjen e situatës.