“Ja çfarë ndodhi mbrëmë në Presidencë” Meta del me mesazhin e fuqishëm: Mos harroni të protestoni për të drejtat tuaja


Presidenti Ilir Meta nuk i ndal thirrjet e forta.

Ditën e sotme ai i është drejtuar të gjithë shqiptarëve që të protestojnë për të drejtat e tyre.

Në mesazhin e përcjellë Kreu i Shtetit zgjedh të citojë regjisorin Edmond Budina.

“Të protestosh me art ka qenë forma që ai ka zgjedhur”,  kështu ka thënë Budina në premierën e monodramës satirike “Profeti i Kokoshkave”, shprehje e cila është cituar më pas nga Meta.

“Një mbrëmje artistike e paharruar dje në Presidencë, ku patëm kënaqësinë e veçantë të ndiqnim premierën e monodramës satirike “Profeti i Kokoshkave” të artistit tonë të shquar dhe regjisorit të mirënjohur, Edmond Budina.

Shumë i lumtur që kjo shfaqje e jashtëzakonshme teatrale, e lindur si shenjë proteste kundër shkatërrimit brutal dhe kriminal të Teatrit Kombëtar, mblodhi me dhjetëra artistë, profesorë, diplomatë, politikanë e gazetarë që gjithmonë do t’i kenë dyert e hapura në këtë institucion, kështjellë të pamposhtur të lirisë, të drejtave të njeriut e demokracisë, por edhe të mbrojtjes së artit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Profeti i Kokoshkave” është një shfaqje kundër dhunës në përgjithësi dhe dhunës së pushtetit në veçanti, e frymëzuar nga protesta disa vjeçare dhe kauza mbarëkombëtare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e kthyer tashmë edhe në çështje europiane.

Bashkëndaj plotësisht të njëjtin qëndrim me artistin tonë të mirënjohur Edmond Budina se:
“Magjia e teatrit, qëndron edhe në atë, që gjithkush gjen shëmbëlltyrën e x-deliranti, pretendent – diktatori apo diktatori. Dhuna dhe prepotenca e pushtetit, pavarësisht ngjyrës, mbeten të patolerueshme, sado të përpiqesh t’i veshësh me petkun e ëndërrt të demokracisë.

Të protestosht me art, kjo është forma, që unë kam zgjedhur. Por ju mos harroni: PROTESTA ËSHTË QYTETARI!
MOS HARRONI TË PROTESTONI PËR TË DREJTAT TUAJA!”, shkruan Ilir Meta.