Kërcënoi djalin e deputetit të PS/ Arrestohet në Tiranë i riu i rrezikshëm, i përfshirë në 11 ngjarje kriminale


Pas një operacioni të mirëorganizuar, është arrestuar në Tiranë i shumëkërkuari Lajden Kadilli.

I riu i cili njihej ndryshe dhe me pseudonimin “Lypeni”, ka rënë në pranga teksa ndodhej në ambientet e një kompleksi në kryeqytet.

Prej kohësh policia e kishte pikasur faktin se 26-vjeçari jetonte në këtë zonë.

Por agjentet kanë vendosur të ndërhyjnë vetëm mbrëmjen e djeshme për arrestimin e tij.

I shumëkërkuari menjëherë sapo ka ndjerë lëvizjet e shpeshta të tyre është larguar me vrap.

Ai ka hedhur në tokë dhe një pistoletë, por falë ndërhyrjes së forcave “Shqiponja”, ka rënë në pranga.

Por kush është Lajden Kadilli?

I riu është një personazh shumë i njohur në botën e krimit në Durrës.

Kadilli u shpall në kërkim, pasi kërcënoi me armë djalin e deputetit të PS në qytetin bregdetar, Spartak Braho dhe më pas i theu dhe xhamin e makinës.

Kreshnik Braho u sulmua me armë nga Kadilli në gusht 2019.

Ngjarja ndodhi në momentin që djali i deputetit ishte në shoqërinë e dy fëmijëve të mitur, por që për fat të mirë nuk pësuan gjë.

Që prej asaj dite e deri dje në mbrëmje, Lajden Kadilli ishte një person me kartelë të kuqe në regjistrat e policisë kriminale.

Por një muaj më vonë, më 11 shtator të vitit 2019, Kadilli u bë sërish pjesë e një tjetër ngjarjeje kriminale. Ai u shpall në kërkim nga Gjykata e Tiranës, vendim i cili u dha nga gjyqtari, Altin Abdiu, pasi prokuroria e Tiranës e akuzon 26-vjeçarin për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Gentian Rrahmanit dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”. Kjo dosje është administruar nga prokurori i Tiranës Robert Kote, dhe tani pas arrestimit, Kadilli do të  dalë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Kadilli ka qëndruar për më shumë se pesë vite me radhë në kërkim, ndërkohë çështjet penale kundër tij nëpër gjykata, janë zgjidhur me dënime të buta, duke e vënë në shërbim prove. Por ai asnjëherë nuk është arrestuar nga policia.