Njeriu më i kërkuar i momentit/ Kush është Talo Çela që i vranë vëllanë, i dyshuar për grabitjen e Rinasit dhe ekzekutimin e vëllezërve Haxhia

Mëngjesin e sotëm Elbasani është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku persona të paidentifikuar kanë vrarë Bujar Celën, vëllain e Talo Çelës.

50-vjecari që punonte si taksist, është ekzekutuar rreth orës 05:45 mëngjesin e sotëm, sapo ka zbritur nga mjeti i tij dhe është futur për të pirë kafe në një lokal në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Dyshohet se kjo vrasje është bërë për motive hakmarrje ndaj të vëllait Talo Çela, i cili për momentin është një nga njerëzit më të kërkuar në Policinë e Shtetit.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia pasi Gjykata e ka dënuar në mungesë për grabitjen e 4.6 milion eurove në barkun e një avioni në Aeroportin e Rinasit. Talo Çela bashkë me 7 persona të tjetër është futur një vit më parë në pistën e aeroporit të Rinasit dhe në momentin kur paratë e disa bankave po futeshin në barkun e një avioni për tu dërguar jashtë vendit, ata nën kërcënimin e armës kanë kryer grabitjen dhe janë larguar.

Por Talo Çela akuzohet gjithashtu dhe si personi që ka vrarë dy vëllezërit Haxhia në Durrës, më datë 27 prill 2020, te tregu i makinave. Sipas policisë, Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin informacion se ku fshihej shuma e parave të grabitura në Rinas. Ai iu ka kërkuar atyre që të tregojnë vendin se ku fshihej ajo shumë parash, por ata kanë refuzuar.

Sipas Policisë, Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu nga ana e uniformave blu është vënë dhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për ‘kokën’ e Talo Çelës, që do ti jepet atij personi që tregon informacione për vendndodhjen e tij.