Tronditet Elbasani/ Ekzekutohet në lokal vëllai i Talo Çelës, dyshohet për hakmarrje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Bradashesh të Elbasanit.

Mësohet se Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës është ekzekutuar me armë zjarri teksa po zbriste nga makina.

50-vjeçari punonte si taksist dhe autorët e kanë qëlluar në momentin që po shkonte te lokali që rrinte i hapur 24 orë për të pritur pasagjerët që vinin nga autobusët e Greqisë.

Më pas autorët i kanë vënë flakën mjetit që përdorën në një rrugicë në fshatin Murras, përgjatë aksit Elbasan-Peqin.

Kujtojmë se Talo Çela akuzohet për grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill 2019, për ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj më 27 prill 2020 në Durrës dhe për 5 vrasje të tjera të ndodhura në aksin Peqin – Elbasan përgjatë viteve 2018-2019.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ku për arrestimin e tij është vendosur shpërblim 10 mijë euro nga Policia e Shtetit si i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Haxhia.