“Jam beqar, nuk më dha apartamentet” Vrau biznesmenin e ndërtimit, zbardhet dëshmia e autorit në gjyq


Gjykata e Vlorës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” për 53-vjecarin Kliti Leka.

Ky i fundit vrau tre ditë më parë me kallashnikov në Himarë biznesmenin e njohur të ndërtimit Niko Goro.

Por shumë ndryshe nga dita që ekzekutoi Goron, ku u shfaq i qeshur dhe indiferent, sot Leka ka dalë kokëulur në gjyq dhe i rrethuar me policë.

Në dëshminë e tij pas ngjarjes së rëndë, 53 vjeçari nga Tirana ka thënë se kishte rënë dakord me biznesmenin për të marrë 3 apartamente nga pallati që ai po ndërtonte, në këmbim të 2650 metra tokë që i kishte vënë në dispozicion.

“Jam me profesion radiolog, jam beqar dhe me 14 klasë. Me Niko Goron kishin rënë dakord të bënim biznes, ku unë pranova dhe kam firmosur një kontratë noteriale për vënien në dispozicion të një sipërfaqe toke prej 2650 metra katror që ndodhet në Himarë. Ndërsa Nikollaqi ka firmosur duke rënë dakort që të ndërtonte një pallat disa katësh mbi këtë sipërfaqe toke që unë disponoja,dhe si këmbim ai do me jepte 3 apartamente.

Dokumentat dhe marëveshjen noteriale e kam në makinë, por mjeti që unë mora me qëra në Tiranë dhe që më pas e përdora në vrasje, nuk mund të hapet pasi, çelësat e makinës në ikje e sipër me vrap,i hodha brenda në det. Jam fshehur në vendin e quajtur ish-prozhektori dhe aty ka qëndruar derisa ka ardhur policia. Nuk kam bërë asnjë rezistencë kur kanë ardhur policët, por jam dorëzuar menjëherë”, ka deklaruar Kliti Leka.