“Jemi fqinj, por nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin” Rama kujton momentin prekës në takimin me ministrin e Jashtëm grek


Në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, kryeministri Edi Rama ka kujtuar një moment prekës ku Shqipëria ka marrë ndihmë nga shteti fqinj.

Rama e falenderoi Dendias për ndihmën që iu dha vendit tonë gjatë gërmimeve pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

“Sinqerisht asnjëherë nuk do e harroj momentin e nxjerrjes së një djali të ri nga rrënojat nga trupat e shpëtimit të ardhura nga Greqia. Ata djem të ardhur me uniformë tjetër, nga një vend tjetër, sakrifikuan jo pak dhe ishin gati të sakrifikonin dhe jetën, pas orësh e orësh ku përparohej me milimetra në një pallat të tërë që ishte rrëzuar.

Kështu që me atë kujtim të fortë dhe të paharrueshëm, sot, e mikpresim këtu, mikun tonë për të folur për rrugën e përbashkët të të ardhmes si dy fqinj që nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin, por jemi bashkë nën të njëjtin diell prej mijëra vjetësh, dhe kemi detyrimin që të bëjmë më të mirën.”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në konferencë.