Kërcënoi arbitrin, drejtori sportiv i Juventusit e pëson nga Gjykata Sportive


Juventus nuk po kalon një moment të mirë në kampionat. Dy barazimet rradhazi me Crotonen dhe Veronën kanë shqetësuar drejtuesit e Juventusit. Megjithatë një rast i paprecedentë ka ndodhur në ndeshjen e fundit që bardhezinjtë zhvilluan ndaj skuadrës veroneze.

Drejtori sportiv i klubit, Fabio Paratici, ka zbritur nga tribunat për në dhomat e arbitrave në përfundimin e pjesës së parë. Sipas Gjykatës Sportive, drejtori i klubit i është drejtuar arbitrit me një gjuhë kërcënuese.

Në këtë pikë gjykatësi sportiv e ka parë të arsyeshme ta ndëshkojë financiarisht Paraticin me një gjobë prej 150.000 eurosh. Ndërkohë, është paralajmëruar edhe për një masë më të rëndë, në rast se një veprim i tillë përsëritet në të ardhmen.