Plas në studio/ “Ia shpife dynjasë me ato gjeste” Ahmetaj sherr me Bardhin, ish-deputeti: Pusho o gore, pusho


Një përplasje e fortë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme mes ministrit Arben Ahmetaj dhe numrit 2 të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

Ahmetaj ka ndërhyrë në studio përmes një telefonate në programin “Opinion”, në momentin që po diskutohej për inceneratorët.

Tonet kanë qenë të ashpra që në fillim, pasi në nisje të ndërhyrjes së tij me telefon, Ahmetaj ka paralajmëruar Bardhin se do ti nxjerrë dokumenta që do t’ia nxjerrin bojën, ndërsa i kërkonte ta lejonte të fliste me fjalët “Pusho o gore pusho” apo i kërkonte drejtuesit të emisionit Blendi Fevziut me fjalët “pushoje atë gore, thuaj të pushojë ai gore…”.

Në anën tjetër Bardhi e ka quajtur “hajdut” dhe ka paralajmëruar disa herë ish Ministrin e Financave se “nuk do t’i gëzojë lekët që ka vjedhur”. Ahmetaj nga ana e tij e ka paralajmëruar se mund edhe ta quajë me ndonjë “epitet“, pa e thënë se çfarë kishte në mendje, ndërkohë që i ka thënë Bardhit, se “ia shpife njerëzve me ato gjeste”.

Ahmetaj tha se inceneratorët janë investime publike që i kalojnë shtetit në fund të investimit. Sipas tij Elbasani ishte në emergjencë para se të ndizej inceneratori dhe qyteti mbante erën e plehrave. Ai tha se si Ministër i Financave kishte qenë autoriteti fiskal, ndërsa fizibilitetin e bën autoriteti kontraktor nëpërmjet një komisioni.

Në lidhje me akuzat se ka qenë në makinë me Mirel Mërtirin, që kishte lidhje me kompaninë fituese të inceneratorëve, Ahmetaj tha se ka qenë me të paktën 500 biznesmenë në makinë, duke përmendur Çet Kastratin, Salillarin, Avni Ponarin etj, madje ai tha se ka udhëtuar edhe me Blendi Fevziun në një makinë.

Akuzave të Gazment Bardhit se ka dhënë mbështetje financiare për një projekt mbi 60 milion euro, Ahmetaj i tha se “ia shpife gjithë dynjasë me ato xheste“. “Ti ia shpife gjithë dynjasë me lekët që ke çuar në shtëpi” iu përgjigj Gazment Bardhi, që mori si përgjigje një sfidë nga Ahmetaj “Gjeji ti pra, m’i gjej lekët ti, gjeji ti“. Në përgjigje sekretari i PD premtoi se Ametaj nuk do t’i gëzojë lekët.