Punësimi i grave në Shqipëri dhe Kosovë, sfidat për fuqizim ekonomik dhe barazi gjinore


Në Shqipëri, nëse je burrë gjen më lehtë punë. Për gratë, tregu është më i vështirë. Madje, ato paguhen më pak dhe në shumë raste punojnë edhe pa pagesë në biznesin e familjes. Sipas raportit “Shqipëria në shifra 2019”, në vendin tonë shkalla e punësimit për burrat 15-64 vjeç rezulton 68.2 %, ndërsa për gratë 54.4 %, me një hendek gjinor në punësim prej 13.8 %.

Një pjesë e konsiderueshme e grave në moshë pune punojnë si punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, kryesisht në fermat bujqësore. Sipas raportit të INSTAT, gratë kanë 1.8 herë më shumë gjasa sesa burrat për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes; 29 % e grave të punësuara janë punëtore pa pagesë në biznesin familjar kundrejt 16.4 % të burrave të punësuar.

Fuqizimi ekonomik i grave u diskutua në Forumin e Hapur Rajonal dy ditor “Statusi i Punësimit të Grave dhe Vajzave në Shqipëri dhe Kosovë, me praktikat më të mira nga rajoni”, i zhvilluar nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) dhe “Demokraci për Zhvillim” (D4D). Një aktivitet i rëndësishëm për impaktin që ka tek gratë dhe shoqëria në tërësi, i mbështetetur nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.

Fuqizimi ekonomik i grave përmes programeve të duhura arsimore, trajnimit të vazhdueshëm, punësimit dhe sipërmarrjes është theksuar fuqimisht në Objektivat e Qëndrueshme të Zhvillimit. Po ashtu, barazia gjinore dhe punësimi janë theksuar qartë në Planin e Veprimit Gjinor të BE-së për Qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në të gjitha nivelet e arsimit cilësor dhe aftësimit profesional pa diskriminim; për qasje në punë të denjë për gratë e të gjitha moshave; qasje të barabartë e grave në shërbimet financiare, burimet prodhuese duke përfshirë tokën, tregtinë dhe sipërmarrjen. Duke u nisur nga këto politika ndërkombëtare dhe nga ato kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë ky forum rajonal pati si qëllim ndarjen e informacionit në lidhje me statusin e vajzave e grave në tregun e punës dhe rekomandime për përmirësimin e politikave dhe veprimeve kombëtare dhe rajonale.

Gjatë forumit rajonal dy ditor u diskutua mundësia e shkëmbimit të informacioneve dhe rekomandimeve lidhur me politikat e punësimit në Shqipëri, Kosovë e rajon, si dhe inicimi i strategjive dhe veprime avokuese në nivel rajonal, të cilat kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave. Një fokus të veçantë kishte edhe situata e punësimit të grave në të dy vendet gjatë pandemisë që shkaktoi Covid-19. Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore  nga Kosova dhe Shqipëria, organizata të shoqërisë civile të rajonit dhe Shqipërisë si edhe individë që operojnë për të drejtat e punësimit.

Gjatë forumit dy ditor u diskutuan tema interesante në lidhje me punësimin e grave shqiptare. Një prej tyre ishte “Punësimi i grave shqiptare, sfida dhe zgjidhje”. Sipas të dy kushtetutave shtetet përkatëse duhet të garantojnë të drejtën për punë për çdo person, pavarësisht gjinisë, racës, etnisë, gjuhës, përkatësisë së partisë politike, fesë etj. Prandaj, e drejta për punë përfshinë të drejtën për të zgjedhur profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit profesional që synon fitimin e një mjeti jetese me punë të ligjshme. Panelistët diskutuan se si zbatohet kjo e drejtë kushtetuese në Shqipëri dhe Kosovë, dhe cila është shkalla e punësimit dhe papunësia e grave e vajzave në të dy vendet.

Panelistët kanë diskutuar në forum edhe për “Diskriminimin në vendin e punës dhe mbrojtja”. Diskriminimi me bazë gjinore mund të ndikojë si tek gratë ashtu edhe burrat. Megjithatë, gratë kanë më tepër gjasa të bien pre e fenomenit.  Ulja e papunësisë dhe rritja e pjesëmarrjes në forcën e punës është prioritet i Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të qeverive dhe aktorëve të shoqërisë civile. Disa hulumtime sugjerojnë se diskriminimi ka ndikuar në mënyrë të pabarabartë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Po ashtu, shihet se megjithëse të dy vendet kanë legjislacion të konsoliduar në lidhje me diskriminimin, megjithatë shumë aktorë të rëndësishëm kanë njohuri të pakta.

Gjatë forumit u diskutua edhe për “Zhvillimin e aftësive profesionale për gratë dhe orientimin e tyre në tregun e punës”. Në Shqipëri dhe Kosovë ofrohet arsim dhe aftësim profesional, por pothuajse të gjitha institucionet që e ofrojnë janë të vendosura në zonat urbane. Nga hulumtimet në të dy vendet arsimi profesional ende nuk merret parasysh nga shumë studentë. Shkollat ​​profesionale zakonisht regjistrojnë studentë me nota mesatare shumë të ulëta ose ata që nuk arrijnë të kalojnë vitin e parë të gjimnazit. Gratë dhe vajzat e kanë të vështirë pjesëmarrjen në arsimin profesional. Për këtë arsye, sugjerohen mekanizma nxitës.

Panelistët në forumin rajonal dy ditor të organizuar nga nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) dhe “Demokraci për Zhvillim” (D4D) diskutuan edhe për temën “Mbrojtja dhe përfshirja sociale”.
Mbrojtja sociale kontribuon në sigurinë themelore që parandalon njerëzit të bien në varfëri ekstreme në situata të cënueshme dhe ndihmon në menaxhimin më të mirë të rreziqeve. Mbrojtja sociale përfshinë masa të tilla si sigurimet shoqërore, politika të cilat sigurojnë standarde minimale të punës, sigurimin e papunësisë, përfitimet e fëmijëve dhe familjes përfshirë mbrojtjen e lehonisë dhe lejen e babait, përfitimet nga dëmtimi në punë, përfitimet nga sëmundjet, përfitimet e aftësisë së kufizuar, mbrojtjen e shëndetit, pleqërinë etj. Sipas ekspertëve, sistemet gjithëpërfshirëse të mbrojtjes sociale adresojnë çështjet e mësipërme me një larmi ndërhyrjesh.

Një tjetër cështje shumë e ndjeshme që u diskutua në forum ishte “Gratë dhe migrimi”. Referuesit në forum shpjeguan se Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm ka njohur migracionin si një përparësi të rëndësishme globale, e cila, nëse qeveriset si duhet, mund të sjellë përfitime pozitive për migrantë/et dhe familjet e tyre, si nga këndvështrimi ekonomik, social, politik e kulturor. Migrimi është një çështje ndërsektoriale, e rëndësishme për të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ). 10 nga 17 synime përmbajnë objektiva dhe tregues që janë të rëndësishëm për migracionin dhe lëvizshmërinë. Gratë janë aktore të rëndësishme në kontekstin e migracionit global por edhe rajonal dhe të brendshëm. Sipas panelistëve, efektet dhe proceset e migrimit janë të ndryshme për gratë dhe burrat, ndaj është thelbësore që politikat mbi migrimin të përfshijnë dhe reflektojnë këto specifika.

Pas zhvillimit të Forumit të Hapur Rajonal dy ditor “Statusi i Punësimit të Grave dhe Vajzave në Shqipëri dhe Kosovë, me praktikat më të mira nga rajoni”, organizatorët do të përgatisin një raport përmbledhës me gjetje dhe rekomandime nga rajoni sa i përket temave të trajtuara.

 

Për më shumë informacion ju lutemi të ndiqni linkun http://gadc.org.al/d/154/forumi-i-hapur-rajonal-statusi-i-punesimit-te-vajzave-e-grave-ne-shqiperi-e-kosove