Skandal/ Mjekët nuk e vaksinuan, fëmija sot me shenja poliomeliti


Fiks Fare rikthen sërish në vëmendje rastin e Anila Vasilit nga Leskoviku e cila para 5 vitesh është ankuar në emision se mjekët nuk i kishin bërë vajzës së saj vaksinat e moshës 5 dhe 6 vjeçare. Në kartelën që nëna ka dorëzuar në prokurori, nuk figurojnë të firmosura vaksinat për vajzën e saj të cilat bëhen në moshën 5 dhe 6 vjeç.

Edhe sot që vajza është 14 vjeçe ende nuk i ka bërë këto vaksina dhe sipas nënës, ajo ka shfaqur shenjat e para të poliomelitit, deformime në gishtat e duarve.

Para 5 vjetësh në Fiks Fare u bë publik rasti i znj. Anilës dhe ISHP ka bërë analizat e vajzës për të parë nëse i ka kryer apo jo këto analiza. Asokohe specialistja e ISHP-së znj. Iria Preza u shpreh për Fiksin se vaksinat e fruthit i janë bërë fëmijës. Kurse përsa i përket vaksinës së poliomelitit ajo kryhej jashtë vendit dhe se i kishin marrë kampione vajzës për ta dërguar jashtë. Por deri më sot nuk ka një përgjigje.

Nga ky moment zj. Vasili e bindur se vaksinat nuk i ishin bërë i drejtohet Prokurorisë Korçë me një denoncim, por që prej 4 vitesh me këtë denoncim nuk është bërë asgjë. Fillimisht dosja u mor në shqyrtim nga prokurori Elidon Sadiku në Korçë, të cilin e largoi Vetingu. Dosja mbeti e paprekur dhe kaloi te prokurori Juli Kristo, i cili kishte lidhje familjare me një nga infermieret që Fiks Fare denoncoi para 5 vitesh në lidhje me këtë çështje. Si rrjedhoi prokurori Kristo dha dorëheqjen dhe dosja i kaloi prokurorit Ervin Beqirit.

Dosja ka kaluar në tre prokurorë, por asnjëri nuk i ka fshirë pluhurin që zuri ndër vite denoncimi i nënës Anila Vasili

Prokurori i tretë, e pranon që nuk e ka lexuar fare dosjen, madje shprehet se hetimet mund të zgjasin edhe 50 vjet.

Pasi Fiksi mësoi se prokuroia nuk kishte bërë asnjë hetim në lidhje me gjetjen e të vërtetës nesë këto vaksina i janë bërë apo jo 14 vjeçares, mori vajzën bashkë me nënën dhe e dërgoi në një laborator privat në Tiranë. Në këtë laborator u bënë disa analiza për të parë vaksinat që bëhen në grupmoshën 5-6 vjeçare.

Pas 24 orësh Fiksi bashkë me znj Anila paraqiten sërish në laborator për të marrë rezultatin e analizave nesë vajza kishte bërë apo jo vaksinat. Përgjigjen e analizave e interpretoi pediatria e këtij laboratori ku theksoi se vajza nuk ishte imune dhe nuk kishte berë vaksinën e fruthit, rubeolës, shytave. Mjekja shpjegon se “vaksina e MMR që bëhen në dy doza vajzës i është bërë vetëm një dozë dhe vaksina e shytave që kryhet në moshën 6 vjeçare nuk i është bërë”.

Përsa i përket vaksinës së poliomelitit edhe laboratori privat shprehet se e kryen në Gjermani

Pas përgjigjes së laboratorit privat se vajza nuk kishte bërë analizat, nëna takoi sërish prokurorin Ervin Beqiri dhe ish prokurorin e kësaj çështje Juli Kriston. Në debatin që prokurori bën me avokaten, ai pranon se ka katër vite që hetimet zvarriten dhe dosja nuk po mbyllet duke kaluar çdo afat ligjor, pasi as ISHP-ja dhe as Mjeksia Ligjore nuk i kthejnë përgjigje.

Laboratori privat me analizat qe kreu,vërtetoi akuzën e nënës që fëmijës së saj, ku doza e dytë e tre prej vaksinave të moshës 5 dhe 6 vjeçare nuk i janë bërë. Ndërsa analiza për vaksinën e poliomelitit kryhet jashtë Shqipërisë dhe çdo laborator privat apo shtetëror në Shqipëri mund ta kërkojë kryerjen e kësaj analize.

Vaksina e poliomelitti është pjesë e grupit të vaksinave që bëhen në të njëjtën moshë me vaksinat për të cilat fëmija rezultoi negative Sipas nënës, Kristi 14 vjeçare sot paraqet shenjat e para të prekjes nga poliomeliti, kanë filluar t’i deformohen gishtërinjtë e duarve.