Bes Kallaku festoi 35-vjetorin/ Policia bën ‘kërdinë’ me gjoba, e pëson aktori, Meta, Kryemadhi dhe 27 të ftuar


Aktori Besart Kallaku festoi dy ditë më parë 35-vjetorin e lindjes në një lokal në Laknas.

Ndërkohë mësohet se policia ka gjobitur sot të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në ditëlindje, përfshirë dhe vetë aktorin, kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, presidentin Ilir Meta si dhe të ftuarit e tjerë.

Gjithashtu e kanë pësuar keq dhe 6 efektivë policie, pasi ndaj tyre është marrë vendimi për pezullim nga puna për moskryerjen e detyrës duke ushtruar kontrolle.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.

Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.

Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .