“Edhe ne kemi familje, prindër, fëmijë” Apeli prekës i mjekëve maqedonas: Kjo do të zgjasë, s’duam të sëmuremi


Situata në Maqedoninë e Veriut vijon të jetë problematike për shkak të pandemisë.

Autoritetet qeveritare kërkojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat.

Kjo thirrje vjen pasi kapacitetet janë tejmbushur dhe personeli mjekësor ndodhet përditë përballë rrezikut të infektimit.

“Kapacitetet e spitaleve janë të mbushura, ndërsa dinamika e shërimit dhe pranimit të pacientëve të rinj është e madhe. I gjithë personeli mjekësor është i lodhur, por ata nuk heqin dorë nga pacientët tanë”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë.

Por së fundmi mjekët maqedonas u bëjnë apel qytetarëve që të tregohen më bashkëpunues dhe të ndihmojnë stafin mjekësor në luftën kundër koronavirusit.

“Jemi të angazhuar gjatë ditës kohës dhe japin më të mirën. Edhe ne kemi familje, kemi fëmijë, kemi prindër të moshuar. Edhe ne nuk duam ta bartim sëmundjen në shtëpi, as të sëmuremi. Mundohemi që asnjë pacient të mos mbesë pa mbrojtjen e nevojshme shëndetësore.

Kjo do të zgjasë dhe vetëm të bashkuar mund të japin kontribut, në mënyrë që t’ju ndihmojmë pacientëve tanë. Ju lusim t’ju përmbaheni rekomandimeve, mbani maskë dhe largësi trupore. Vetëm kështu jemi fitues në këtë luftë”, theksojnë mjekët.