Gjobitet se doli nga shtëpia gjatë karantinës, tronditen kur mësojnë historinë e tij


Një i pastrehë në Itali është gjobitur pasi gjatë karantinës ka dalë nga shtëpia. Bëhet fjalë për një 63 vjeçar me emrin Pasquale që është ndëshkuar me 280 euro gjobë në 19 nëntor nga policia e Komos.

Pasquale Gudice zyrtarisht ka shtëpi, por prej 10 vitesh jeton në rrugë dhe ushqehet me anë të lëmoshës që merr nga qytetarët e Komos, ndërkohë që policia e gjobiti në qendër të qytetit, aty ku qëndron prej vitesh.

Angelo Orsenigo, këshilltari rajonal i demokratëve në Komo, e konsideroi masën ndëshkuese “qesharake dhe mizore”.

“Është qesharake dhe mizore që të ndëshkohet një person që nuk ka se ku të futet për të respektuar karantinën. I kërkoj autoriteteve që ta tërheqin gjobën jo vetëm sepse është e pamundur që të paguhet nga i moshuari, por edhe për faktin se përforcon përshtypjen se Komo dhe institucionet e tij nuk kanë mëshirë për të varfërit në një moment kaq të vështirë që po kalojmë”, u shpreh Orsenigo.