Kinematografia në zi/ Virusi i merr jetën regjisorit të njohur shqiptar


Një lajm i trishtë vjen sot për kinematografinë shqiptare.

C.OVID19 i ka marrë jetën një tjetër personaliteti të shquar.

Bëhet fjalë për regjisorin Muharrem Fejzo, i cili është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare pas një beteje të gjatë me virusin e rrezikshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur i biri, Joe Fejzo me anë të një reagimi në rrjetet sociale.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.

Fejzo mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”.