Klimë e duhur për biznesin në rajon, zhvillohet sesioni i themelimit të Këshillit të Biznesit


Një sesion i rëndësishëm u mbajt datën e sotme nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe industrisë në Shqipëri, ku u fol për rëndësinë e klimës së duhur të biznesit në rajon.

Këshilli i Biznesit, anëtarë të së cilës janë përfaqsuesit e 16 kompanive, të cilat zhvillojnë aktivitet në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të përfaqësojë 400.000 sipërmarrje të të gjithë rajonit dhe do të ketë si synim eleminimin e barrierave për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon.

Takimi u realizua në platformën online ku morën pjesë anëtarët e Bordit Drejtues të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (ËB6 CIF), anëtarët e Këshillit të Biznesit, Z. Thomas Hagleitner, Drejtuesi i DG NEAR i Komisionit Europian, Znj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC, Z. Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të Cefta dhe përfaqsues të tjerë të larte të institucioneve ndërkombëtare.

Kompanitë shqiptare, anëtare të këtij Këshilli ishin:

1. Balfin Group, përfaqsuar nga znj. Edlira Muka
2. Agna Group, përfaqsuar nga z. Vasil Naçi
3. Infosoft Group, përfaqsuar nga z. Grigir Joti.

Këshilli i Biznesit parashikohet si një organ këshillimor i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), ku vendi ynë përfaqsohet nga Kryetarja, znj. Ines Muçostepa.

Së bashku me anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), Këshilli i Biznesit do të dalë me propozime dhe sugjerime politikash dhe do të jetë aktiv me qeveritë e rajonit, RCC, CEFTA dhe aktorë të tjerë të interesuar për të krijuar një mjedis biznesi më stimulues dhe më konkurrues në Ballkani Perëndimor.

Për më tepër, roli i Këshillit është të promovojë një dialog të drejtpërdrejtë midis komunitetit të biznesit të Ballkanit Perëndimor dhe vendimmarrësve të BE-së, në mënyrë që të mundësojë integrimin më të shpejtë të rajonit në tregun e vetëm të BE-së, përmes qasjes gjithëpërfshirëse të zgjerimit.

Anëtarët e Këshillit të Biznesit pritet të marrin pjesë në takime vjetore jo vetëm me Anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), por herë pas here edhe me Presidentët ose Kryeministrat e vendeve të rajonit / përfaqësuesit e lartë / ministrat / grupe interesi të Komisionit Evropian për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon.

Anëtarët e Këshillit gëzojnë të drejtën të takohen dhe të diskutojnë se si të kapërcejnë pengesat në të bërit biznes në rajon me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë zyrtarët e lartë të qeverive në rajon por edhe të diskutojnë harmonizimin e politikave me acquis të BE-së drejtpërdrejt me përfaqësuesit e BE-së.

Këshilli, si përfaqësues i sektorit privat rajonal, do të monitorojë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit të Tregut, mbështetur nga ekipet e ekspertëve të dhomave anëtare të WB6 CIF.

Përmes nismave dhe propozimeve të tij, bazuar në katër parimet e lirive të BE (qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit), Këshilli do të mbështesë zbatimin e Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal.

Së bashku me Anëtarët e Bordit Drejtues të WB6 CIF, Këshilli do të vendosë sistemin KPI (treguesit kryesorë të performancës) për çështjet më të rëndësishme, të cilat ndikojnë në aktivitetin e biznesit në kuadër të zbatimiit të Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (p.sh. pengesat që burojnë nga dinamikat e ndryshme në rajonin e procesi i harmonizimit me standardet dhe acquis e BE-së, krijimi i one-stop shop në pikat më të shpeshta të kalimit brenda rajonit, njohja reciproke e dokumentacionit tregtar, krijimi i një tregu rajonal të tregtisë elektronike, ulja e kostove të pagesave rajonale, lëvizja e lirë e punës , liberalizimi i tregtisë së shërbimeve, projektet e infrastrukturës rajonale, heqja e barrierave jo-tarifore, etj.).

Nga roli i tij këshillues, Këshilli do të sugjerojë masat e duhura, të cilat do të inkurajojnë dhe lehtësojnë zgjerimin gjithëpërfshirës. Zgjerimi gjithëpërfshirës është parimi i shkurtimit të barrierave në tregti dhe vendosja e mekanizmave të politikës së përbashkët kur plotësohen kushtet për harmonizimin e rregullave të përbashkëta dhe ngritjen e institucioneve, ose praktikave të zbatueshme. Objektivi është perspektiva e ekonomive të Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrës të ardhshëm të plotë në tregun e brendshëm.

Këshilli do të jetë aktiv për organizimin e takimeve të rregullta në formën e një Platforme Biznesi BE-WB6 me qëllim komunikimin e pengesave dhe mundësive për bizneset me vendimmarrësit e BE-së. Një dialog i tillë do të shërbente për të kërkuar zgjidhje administrative, rregullatore dhe politike, dhe të mbështesin komunitetet e biznesit në Ballkanin Perëndimor për të kuptuar më mirë Bashkimin Evropian, legjislacionin e tij dhe për t’i ndihmuar ata që të përgatiten për integrimin në Tregun e Vetëm.

Lista e sipërmarrjeve të Këshillit të Biznesit:

Shqipëri

1. Balfin Group
2. Agna Group
3. Infosoft Group

Bosnje Hercegovinë

4. MS Wood
5. Sarajevski kiselјak
6. Mikroelektronika
Kosovë

7. Devolli Corporation
8. ALBI Group

Maqedonia e Veriut

9. Alkaloid
10. M-6/Tikveš

Serbi

11. Elixir Group
12. Nelt Group
13. Milšped Group

Mali i Zi

14. Voli
15. Trebjesa
16. Portonovi Resort