Komuniteti fetar në zi/ Ishte prekur nga virusi, ndërron jetë kreu i Kishës Ortodokse Serbe


Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Irinej ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga C.OVID19.

Ai u shtrua në spital mbrëmjen e 4 nëntorit, pasi më parë në testin e kryer kishte rezultuar pozitiv.

Më 17 nëntor Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se gjendja e patriarkut Irenej ishte stabile dhe e qëndrueshme, por më pas më 19 nëntor, u konfirmua se shëndeti i tij ishte përkeqësuar.

Kujtojmë se më 1 nëntor, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, udhëhoqi funeralin dhe liturgjinë para varrimit të Metropolitit Amfilohije të Malit të Zi, e cila u ndoq nga mijëra besimtarë. Metropoliti Amfilohije ndërroi jetë më 30 tetor për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga k.oronavirusi.

Në varrim, ku ishte i ekspozuar një arkivol i hapur me trupin e mitropolitit, priftërinjtë, shumica e besimtarëve, si dhe disa politikanë, nuk vunë maska dhe as nuk respektuan distancën fizike.

Trupi Kombëtar i Koordinimit për Sëmundjet Infektive (NCT) i Malit të Zi dënoi me forcë “shkeljen drastike të masave kundër pandemisë”.

Irinej u zgjodh në postin më të lartë në Kishën Ortodokse Serbe, në janar të vitit 2010.