Ligji i ri/ Biznesi kunder kontrollit te llogarive bankare nga tatimet


Biznesi ka kundërshtuar ashpër projektligjin e qeverisë që ju jep kompetencë tatimeve të kontrollojnë llogaritë bankare të kompanive.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë i ka dërguar një letër Ministres së Financave, Anila Denaj dhe ka vënë në dijeni edhe Ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarjes, Eduart Shalsi.

Në letër theksohet se:

Ky udhëzim parashikon afate ligjore të qarta për shlyerjen e detyrimeve tatimore, rolin e bankave tregtare të nivelit të dytë në mbledhjen e detyrimeve. Përveç përmirësimit të përmbajtjes se Udhëzimit ekzistues, ndryshimet e prezantuara i japin në mënyrë të shprehur administratës tatimore të drejtën që detyrimet tatimore të pambledhura nga shoqëritë tregtare t’ia transferojë dhe t’i mbledhë nga ortakët dhe/ose administratorët e këtyre shoqërive.

Më konkretisht, Udhëzimi parashikon që nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar), detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori…”

Transferimi i detyrimit i parashikuar më sipër është në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare duke qënë se:

  1. Bazuar në nenin 68 të ligjit të përmëndur: “… Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar është një shoqëri tregtare, e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kontributet e ortakëve përbëjnë kapitalin e regjistruar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar”.

Kujtojmë që në vëndin tonë, pjesa më e madhe e shoqërive të regjistruara (% ekzakte mund të gjendet lehtësisht nga QKB) janë të regjistruara ose në formën e “shoqërive me përgjegjësi të kufizuar”. E njejta dispozitë është e aplikueshme edhe për shoqëritë e regjistruara në formën e “shoqërive aksionare” (neni 105 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare).

Dallimi i personalitetit juridik të pavarur të shoqërisë tregtare nga atij të ortakut/aksionarit e administratorit, si dhe kufizimi i përgjegjësisë janë parime universale. Cënimi i këtyre parimeve do të deformonte thelbin e organizimit te aktivitetit tregtar në formën e shoqërisë tregtare.

  1. Bazuar në nenin 16 të ligjit të përmëndur, të vetmet raste kur ortakët, aksionarët e shoqërisë tregtare, administratorët dhe anëtarët e këshillit të administrimit përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë, me të gjithë pasurinë e tyre janë kur:
  2. abuzojnë me formën e shoqërisë tregtare për arritjen e qëllimeve të paligjshme;
  3. trajtojnë pasuritë e shoqërisë tregtare si të ishin pasuritë e tyre;
  4. në çastin kur kanë marrë apo duhet të kishin marrë dijeni për gjendjen e paaftësisë paguese të shoqërisë, nuk marrin masat e nevojshme, për të siguruar që shoqëria, në varësi të llojit të veprimtarisë së ushtruar, të ketë kapitale të mjaftueshme, për të përmbushur detyrimet e marra përsipër ndaj palëve të treta.

Doktrina e së drejtës e njeh parimin e sanksionuar nga neni 16 i Ligjit pë Shoqëritë Tregtare të cituar më sipër, si “piercing/lifting of the corporate veil”.

Për sa më sipër, përveç nëse administrata tatimore ka një vëndim gjykate të formës së prerë që tregon që ortaku/aksioneri/administratori ka vepruar nën kushtet e parashikuara në nenin 16 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, gjykojmë që transferimi i detyrimit tatimor është i paligjshëm. Gjithashtu, gjykojë se do të ishte e kundërligjshme çdo masë sekuestro konservative apo masë tjetër që cënon llogaritë bankare dhe/ose pasuritë e tjera të ortakut/aksionerit/administratorit, që mund të marrë administrata tatimore. Në këtë kontekst, masa të tilla mund të merren vetëm nga gjykata kompetente gjatë gjykimit të padisë.

Ne gjykimin tonë, formulimi aktual i udhëzimit lë hapësira për abuzim nga ana e autoriteteve tatimore, pasi krijon idenë se keta te fundit kanë të drejtën të japin urdhera bllokimi pa pasur fillimisht një vendim të gjykatës së formës së prerë.