“O njerëz të mjerë, të pabrekë ” Revoltohet gazetari Mentor Kikia: Shërohuni nga politika o të pangrënë


Ditën e djeshme gazetari i njohur Mentor Kikia kritikoi Partinë Demokratike për publikimin e pamjeve nga morgu të disa qytetarëve të pajetë.

Mirëpo pas kësaj, nuk kanë munguar dhe komentet fyese ndaj gazetarit dhe pikërisht ato kanë ngjallur reagimin e revoltuar të tij.

Postimi i plotë i gazetarit:

Harrojeni covidin, por shërohuni nga politika o njerëz të mjerë

Bëra një postim dje në këtë faqe, ku kritikoja PD-në që akuzonte qeverinë duke përdorur ca foto nga morgu, si dhe qeverinë, që kur do të sulmojë opozitën, nxjerr doktorreshë Najadën dhe mjeket në koridor si të ishin kori i QSUT-së.

Ishte një nga shkrimet që tërhoqi shumë komentues. Qindra njerëz u lëshuan duke u sharë mes tyre. Ata që mbronin “Morgun” dhe kauzën e opozitës dhe ata që mbronin “Mjekët” dhe qëndrimin e qeverisë.

Padyshim që të gjithë bashkë shanin edhe autorin e shkrimit. Ca për pjesën e parë, e ca për pjesën e dytë.

Po nuk mungonin as ata që e shanin, pse i kishte kritikuar të dyja palët. Sepse njeriu duhet ta ndajë: O me njërën palë, o me tjetrën.

O njerëz të mjerë, o të pabrekë, o të pangrënë, që jeni gati ta shqyeni e ta hani njëri-tjetrin, për llogari të “atyre lart”, po a nuk e kuptoni se sa jeni robëruar nga varësia prej politikës?

Po jeni të gjithë njësoj të gënjyer e të mashtruar, të gjithë të vjedhur e të përdorur, sa nga njëra e sa nga tjetra palë.

Edhe unë kam bindjet dhe preferencat e mia politike dhe i mbroj ato. Por nuk jam gati të pështyj askënd që nuk ka të njëjtat bindje me mua. Aq më pak ta “shqyej”. Sepse jam 1000% i bindur se në këtë vend nuk ka ende një udhëheqës apo një politikan që të meritojë të tillë sakrificë sublime nga populli i tij.