“Të mbyllen një orë e më parë” Pipero ngre alarmin për këto biznese: Duhet frenuar përhapja e virusit


Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero vijon thirrjet e forta përsa i përket situatës së krijuar nga pandemia në vend.

Së fundmi ai ka bërë një apel për të gjithë qytetarët që të ndërgjegjësohen për respektimin e masave.

“Për mua sot që flasim, vendi, mjedisi, ku më së shumti qarkullon dhe përcillet virusi janë baret, kafetë, më pak restorantet”, u shpreh me këmbëngulje Pipero.

Ai tha se nuk e mbështet një karantinë të dytë por respektimin e protokolleve kundër përhapjes së virusit.

“Së paku të mbyllen më herët. nëse baret dhe restorantet nuk respektojnë protokollet e distancave, ato bare që nuk i respektojnë të mbyllen një orë e më parë. Nuk është koha për të dëfryer por për të pasur kujdes. Kam parë dhjetëra lokale plot, brezi i ri, lozin, dëfrejnë me një kafe rrinë 4 orë. Të respektohet protokolli. Duhet të merret një masë.

Nuk jam për karantine të dytë apo një mbyllje të dytë. Nuk është ajo zgjidhja. pjesë e zgjidhjes është kjo që nuk është pjesë e zgjedhjes. Duhet medoemos të frenojmë transmetimin e virusit. Mosha 16-17-vjeçare që vetë në lokale nuk jeton vetëm, ka familje, shkon në shkollë. Duhet doemos që atje ku më së shumti qarkullon të frenohet. Përpara se të mendojmë bllokimin, kapacitetet e shtuara spitalore të respektojmë ato masa që janë të rëndësishme. E shoh të arsyeshme të ngre zërin sepse o sot o kurrë mund ta parandalojmë”, tha Pipero për News 24.

Sa i përket lajmit për humbjen e jetës së një foshnje 16 muajshe, Pipero tha se virusi nuk kursen askënd por se fatmirësisht fëmijët nuk kanë probleme dhe se ky përbën rastin e parë dhe është një lajm i keq.

Pipero i këshilloi qytetarët të respektojnë masat, të marrin vitamina ose në farmaci ose nëpërmjet ushqimit dhe të bëjnë aktivitet dhe orët e duhura të gjumit. Ai tha se mjeku më i mirë është mjeku që qytetarët kanë më afër, pra mjeku i familjes. “Të gjithë të mbajnë kontakt me mjeku ne familjes, të mbajnë kontakt me 127 nëse kanë nevojë dhe të shkojnë në spital nëse është e nevojshme”, deklaroi ndër të tjera mjeku i njohur.