Vendet europiane riaktivizojnë “litarët e shpëtimit të ekonomisë”


Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli

Faza e dytë e pandemisë Covid-19 është rikthyer me shtimin e infektimeve në shumicën e vendeve dhe pasojat humanitare, sociale dhe ekonomike të saj vazhdojnë të thellohen. Numri i të infektuarve në botë arriti shifrën 48 milionë njerëz të infektuar dhe duke marrë më shumë se 1.22 milionë jetë njerëzish. Franca, Gjermania, Spanja, Italia, Portugalia, Greqia, Britania e Madhe, SHBA e kanë ndjerë më shumë këtë valë të dytë të pandemisë. Shumica e tyre tashmë kanë shpallur masat e reja të protokolleve ndaj kësaj pandemie. Lockdown tashmë është i pranishëm, edhe pse në mënyrë të pjesshme, thuajse në shumicën e vendeve të prekura. Me ritme të larta po ndihen ndikimet e pasojat edhe në vendet e rajonit tonë, përfshi dhe Shqipërinë, ku numri i të infektuarve i kaloi të 22.300 rastet dhe ka marrë jetën e 536 njerëzve. Ndërkaq, ekonomia globale vazhdon të jetë në recension dhe në fund të këtij viti parashikohet të tkurret me – 4.4 % ajo amerikane; me -4.3% ajo europiane -7,2 %; në vendin tonë 6.1 %, me objektiv që rimëkëmbja ekonomike të fillojë gjatë vitit të ardhshëm dhe të stabilizohet në periudhën 2021-2023. Por…

PA MUNDUR PANDEMINË, GJALLËRIMI EKONOMIK ËSHTË I VËSHTIRË

Binomi pandemi-ekonomi tani po shfaqet korrelativ më shumë se në fazën e parë. Kjo është arsyeja që pyetja “Pandemia apo Ekonomia” vazhdon të marrë përgjigjen “Të dyja”. Lufta duhet bërë në të dyja frontet. Të luftojmë pandeminë, të ringjallim ekonominë. “Rimëkëmbja ekonomike do të jetë e mundur nëse mposhtet pandemia”, ka theksuar shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva. Por vendet më të zhvilluara të globit e të Europës po japin “alarmin” për një shtim të përhapjes së pandemisë. Prandaj fokusi është dhe mbetet te një përpjekje e dyanshme, nga njëra anë vazhdimi i masave për të mposhtur pandeminë, dhe nga ana tjetër shtimi i masave për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike. Rritja e masave jetësore shëndetësore do të ishte po aq e rëndësishme sa mbështetja fiskale dhe monetare për familjet dhe kompanitë, theksoi Georgieva.

Ajo i konsideroi “litarë shpëtimi” garancitë e kredisë, subvencionimin e pagave, ndërtimin e një ekonomie elastike, ku hapësira fiskale të lejojë investimet publike në ekonominë e gjelbër dhe teknologjinë e infrastrukturën dixhitale dhe ballafaqimi me borxhet që në ekonominë globale pritet të arrije 100 %.

Po të shikojmë karakteristikat e buxheteve europiane, do të vëmë re se të gjitha vendet janë fokusuar për shpërndarjen e fondeve në këto akse: -Në ndihmë të biznesit për të kapërcyer vështirësitë si pasojë e pandemisë. Pavarësisht paketave ekonomike të përdorura në ciklin e parë të pandemisë, në të gjitha vendet shikohet si e domosdoshme të ndërhyhet edhe gjatë, por dhe pas ciklit të dytë të pandemisë; -Politika që stimulojnë dhe ruajnë punezënien, ose instrumente ekonomiko-financiare, që synojnë ristrukturimin e tregut të punës si pasojë e ndryshimeve të karakterit profesional të tij dhe formave të reja të punës;- Në alokimin e burimeve më të mëdha se vitet e kaluara në fushën e shëndetësisë dhe arsimit; -Në investime publike, kryesisht në drejtim të infrastrukturës dixhitale dhe ekonomisë së gjelbër;-Në vepra publike për një infrastrukturë të modernizuar të transportit për të lehtësuar lidhjet kombëtare dhe ndërkufitare; Në uljen e varfërisë dhe ndihmës së shtresave në nevojë.

RIAKTIVIZIMI I “LITARËVE TË SHPËTIMIT EKONOMIK”

Bazuar në këtë “kornizë drejtimesh” dhe duke konsideruar pasojat aktuale dhe të pritshme të pandemisë në ekonomi, vendet e Europës riaktivizuan “litarët e shpëtimit të ekonomisë”, të përmbledhura në vazhdimin e paketave të mbështetjes. KËSHTU:

A- NË ITALI: Qeveria bëri një rishikim të politikave të ndjekura dhe ato që do të ndiqen në vazhdim, si në drejtim të masave anti-Covid, ashtu edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë. Aktualisht, nuk shihen kushte për një bllokim të ri. “Fondi i Rimëkëmbjes” është shndërruar në një fjalë kyçe, në mënyrë tepër të lidhur me aktualitetin ekonomik dhe politik në Itali dhe do të jetë edhe më shumë në muajt e ardhshëm dhe ndoshta vitet e ardhshme çështje kyçe. Kjo situatë ballafaqohet në një front të dyfishtë.  Ajo e politikës ekonomike dhe më thjesht e politikës së brendshme. Në rastin e parë,   Fondi i Rimëkëmbjes, ose 750 miliardë lekë që Bashkimi Europian vendosi “në pjatë” në fund të korrikut për të rindezur ekonomitë e 27 vendeve anëtare të mbingarkuara nga kriza Covid-19, po përgatitet të luajë një rol strategjik për rinisjen. (Burimet e para do të shpërndahen vitin e ardhshëm).

Nga këndvështrimi i dytë, burimet që do të arrijnë nga Europa marrin një rol jo dytësor në përcaktimin e ekuilibrit politik italian. Ndërkaq, Italia, nga Buxheti i Shtetit do të llogarisë në 65,456 miliardë në grante të pakthyeshme: 70% e alokimeve të burimeve, d.m.th. 44,724 miliardë u referohen angazhimeve për projekte 2021-2022, pjesa tjetër, d.m.th. 20,732 miliardë, u referohen angazhimeve të 2023. Në përgjithësi, “kuota” italiane është afërsisht 209 miliardë euro, e ndarë në 81.4 miliardë subvencione dhe 127.4 miliardë kredi. Pjesa tjetër e subvencioneve do të kanalizohet përmes “shtyllave” të tjera të operacionit antikrizë, përfshirë React Eu, zhvillimin rural, Just transition fund. Të gjitha këto do të ndjekin një proces të harmonizuar me BE-në, duke përcaktuar projekte do të financohen.

Në fokus janë edhe kuotat për shëndetin. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është të investojë 34.4 miliardë euro gjatë 6 viteve, duke përdorur burimet e Fondit të Rimëkëmbjes, për të përmirësuar gjendjen e infrastrukturës shëndetësore në të gjitha drejtimet, përfshi pajisjet të teknologjisë së lartë dhe infrastrukturës dixhitale.

Dy miliardë e gjysmë euro për 5 vjet duhet të përdoren për të rritur kujdesin për kurimin në shtëpi të pacientëve. Gjithashtu, Italia është në krye të vendeve për sa i përket temës së vaksinës. Çështja e vaksinave është e lidhur ngushtë me çështjen e pandemisë. Qeveria italiane ka investuar shumë miliarda në hulumtimet e vaksinave. Italia është ndër vendet e para të BE-së, që merr pjesë në projektet më të rëndësishme kërkimore.

Njëhershëm, Recovery Fund – (Fondi i Rimëkëmbjes), ka si objektiv forcimin thellësisht të paketës 4.0., që lidhet me Revolucionin e 4-t industrial. Paketa Industry 4.0 u krijua për të shoqëruar strukturën italiane sipërmarrëse në atë që quhet revolucioni i katërt industrial, i cili do të ndryshojë rrënjësisht botën e punës dhe logjikën e prodhimit në të gjithë botën. Industria 4.0 në thelb përkthehet në një seri masash, stimujsh ekonomikë dhe lehtësimesh për zhvillimin dixhital të kompanive: ndër to, mbiamortizimi, superamortizimi dhe kreditë e subvencionuara për fillestare innovative.

Sipas Kryeministrit Conte, me rëndësi do të jetë edhe plani CASHLESS (synohet “që të paguajnë të gjithë, por të paguajnë më pak”), do të çojë gjithashtu në “dekurajimin e pagesave të padeklaruara, pra në të zezë”. Ky plan është një projekt, për të cilin qeveria kujdeset veçanërisht dhe për të cilin besohet shumë.

Nxitja e dixhitalizimit të pagesave pa penalizuar mund të çojë në një ndryshim në zakonet e konsumatorit. Të gjithë e kuptojnë rëndësinë e “planit” dhe kjo do të thotë inkurajim i përdorimit të pagesave dixhitale, duke e bërë sistemin më të shpejtë, më transparent dhe të gjurmueshëm dhe në perspektivë do të thotë të vendosësh bazat për rimëkëmbjen e ekonomisë nëntokësore.

Reforma për amortizatorët socialë dhe ulja e kostove të punës është një instrument tjetër, që po ofron qeveria italiane. Në lidhje me reformën e shpallur të amortizatorëve socialë, u vlerësua një shpenzim prej 10 miliardë lekësh në tre vjet dhe 11 miliardë të tjerë në dy vjet, që do të nevojiteshin për lehtësime, të cilat synonin të lehtësonin punësimin dhe mbrojtjen e grave punëtore, nënat në radhë të parë.

Gama e propozimeve për të dixhitalizuar administratën publike dhe për të promovuar tregtinë elektronike është e madhe. Referuar konsumit për vitin 2021, me rëndësi “synimi/puntimi” në Made in Italy, në “reshoring”,(kthimi në Itali i ndërmarrjeve që ushtronin aktivitetin jashtë vendit – në vende aziatike/Kinë dhe Vietnam dhe të vendeve europiane lindore/Rumani dhe Serbi) dhe qëndrueshmëria në tregje. Në “normalitetin e ri”, konsumatori dhe kompanitë me pakicë do të kenë 7 përparësi:

1-. Mbështetje për prodhimet Made in Italy; 2-Veprimet e sistemit në zinxhirët e furnizimit të Modës dhe Ushqimit; 3. Dixhitalizimi: tani ose kurrë, Tregtia elektronike fluturon me ritme të shpejta: 4. Përqendrohuni në qëndrueshmërinë. 5. Qasje më e mirë në likuiditet. 6. Rifreskimi dhe industria 4.0. 

7. Vëmendje për brezat e rinj, rikthimi në punë brenda vendit.

B-NE GREQI: Masat e mbështetjes ekonomike për individët dhe bizneset, të shpallura nga qeveria greke pas vendimin për mbylljen totale trejavore të vendit (Dje, 5 nëntor 2020):

– Pezullimi i përkohshëm i kontratës së punës për aq kohë sa është e nevojshme.

– Mbulohen të gjitha kontributet e sigurimeve të llogaritura në pagën nominale.

– Punonjësit e bizneseve që janë të punësuar deri në 04.11.2020 dhe që do pezullohet puna në muajin nëntor do të marrin 800 euro për periudhën që do të pezullohen.

– Për bizneset, operimi i të cilave është pezulluar, në të cilat përfshihet edhe shitja me pakicë, do të pezullohet pagesa e TVSH-së deri më 30 prill 2021.

– Për bizneset, funksionimi i të cilave është pezulluar, është e mundur të pezullohet pagesa e kësteve të sigurimit dhe taksave.

– Për punonjësit që do të pezullohen, pagesa e kësteve në zyrën e taksave do të pezullohet për muajin nëntor.

– Pezullimi i pagesave të kredive vazhdon deri në fund të vitit.

– Të gjitha përfitimet e papunësisë të skaduara shtyhen.

– Ndihmë e re financiare e njëhershme për 130,000 të papunë afatgjatë që nga muaji prill.

– Të gjitha ndërmarrjet e prekura kanë të drejtë për një ulje të detyrueshme prej 40% të qirasë dhe e njëjta gjë vlen për vendbanimin kryesor të punonjësve të pezulluar.

– Për muajin nëntor, pronarët që marrin me qira pronë të paluajtshme, do t’u paguhet përfituesve drejtpërdrejt 1/2 e vlerës së tyre.

– Një plan i ri për zgjatjen e afatit kohor të pagesës së çeqeve do të shpallet. – 50% e “humbjes” së qirasë do t’u kthehet nga qeveria pronarëve: Shteti do të mbulojë 50% dhe jo 30% të humbjes nga uljet e detyrueshme të qirasë në muajin nëntor, gjithashtu do t’i paguajë ato drejtpërdrejt në llogarinë bankare të pronarit.

SHQIPËRIA PËRBALLË PANDEMISË DHE PËRPJEKJEVE PËR RINGRITJEN EKONOMIE

Një mbyllje tjetër në këtë fazë të dytë të pandemisë do të ishte katastrofike për ekonominë e vendit dhe do të shuante çdo shpresë për rimëkëmbjen e brishtë të pritshme në vitin 2021. Në përgjigje të pyetjeve se çfarë pakete po bën qeveria shqiptare, theksoj se krahas masave shtesë në protokollet e marra për luftën kundër pandemisë në këtë fazë të dytë duhet të mbahen në vëmendje:

Së pari, janë një pjesë e mirë e Akteve Normative të marra gjatë këtij viti, që shtrijnë efektin e tyre edhe gjatë vitit 2021, ose e fillojnë në vitin 2021. Kështu: A- Ulje taksash për vitet 2021 e në vijim:

1. Tatim i thjeshtuar mbi fitimin për subjektet me të ardhura 5-8 milionë lekë; nga 5 për qind, u bë zero. Nga kjo masë përfitojnë 18 mijë subjekte. (Taksa për 60 mijë subjekte, me të ardhura 0-5 milionë lekë, ka qenë zero që në vitin 2015).

2. Tatimi mbi fitimin, për subjektet me të ardhura 8-14 milionë lekë; nga 5 për qind u bë zero. Nga kjo masë përfitojnë 12 mijë subjekte.

3. Heqja e taksës së ndikimit në infrastrukturë për kompanitë që janë dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 (për qytetarët, kjo taksë ishte hequr në dhjetor 2019).

4. Rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë, në 10 milionë lekë. Nga kjo masë përfitojnë rreth 32 mijë subjekte, të cilat dalin nga skema e TVSH-së.

B- Masa të tjera administrative.

1. Fiskalizimi. Nga 1 janari 2021 fillon zbatimi i projektit të fiskalizimit për transaksionet biznes-qeveri.

2. Shkëmbimi automatik i informacionit. Realizimi i këtij procesi do të ndihmojë në: a. Rritjen e bashkëpunimit të vendit tonë me vendet e tjera në fushën e transparencës fiskale; b. Sigurimin e informacionit mbi të ardhurat e rezidentëve shqiptarë jashtë vendit.

3. Regjistri i përfituesve. Realizimi i këtij procesi do të ndihmojë në: a. Rritjen e bashkëpunimit në fushën ndërkombëtare; b. Parandalimin e investimeve me burime financiare të dyshimta.

4. Regjistri i llogarive bankare. Realizimi i këtij procesi do të ndihmojë në: a-Rritjen e transparencës; b. Krijimin e bazës së të dhënave për veprimtarinë ligjore të agjencive ligjzbatuese.

Së dyti, rishikimi i masave të marra deri tani, analiza e zbatimit dhe e efekteve të tyre dhe nëse ndonjë prej tyre ka nevojë për t’u rivendosur në afat (për vitin 2021) apo të shtohet me masa të reja që diktojnë situatë e re (si çështja e qirave, kompensim pjesor për bizneset që do të mbyllen gjatë natës apo punonjësit që do të mbeten pjesërisht pa punë) duhet të bëhet.

Së treti, Projektbuxheti i vitit 2021, që pritet të miratohet është buxheti antipandemi dhe buxhet antikrizë, buxhet i ringritjes ekonomike. Projektbuxheti parashikon mbështetje të plotë për të përballuar me dimension shumëplanësh pandeminë, duke garantuar edhe rritje të pagave në dy sektorët prioritarë, arsim e shëndetësi, konkretisht: Për punonjësit e shëndetësisë pagat rriten me 40 për qind, dhe për ata të arsimit pagat rriten me 15 për qind. Rindërtimi i pasojave të tërmetit për vitin 2021 zë një pjesë të rëndësishme të investimeve publike me një shumë prej rreth 28 miliardë lekësh. Veç detyrimit moral dhe karakterit human të kësaj veprimtarie, ajo është edhe një oportunitet zhvillimi ekonomik. Do të ndërtohen 3470 banesa individuale, 4646 banesa kolektive, 145 objekte arsimore dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre. Kjo, krahas rritjes dukshëm të investimeve në ekonomi, në infrastrukturë dhe sektorët e tjerë të zhvillimit, dixhitalizim dhe ekonominë e gjelbër.. Këto shpenzime parashikohet të rriten me rreth 18.9 miliardë lekë ose 18.5 pikë përqindje, në krahasim me një vit më parë.

Binomi Pandemi & Ekonomi na imponon përpjekje frontale në të dyja drejtimet. Prandaj, masat e marra dhe ato që priten, si dhe politikat e buxhetit 2021 duhet të konsiderohen e të zbatohen si “Litarët e shpëtimit të ekonomisë” në këtë situatë.