E ardhmja e borxhit publik pas pandemisë Co vid-19


Nga prof.akademik Anastas ANGJELI

Ndërkohë që mendimi ekonomik po bashkohet në një pikë, se situata ekonomike e krijuar nga kriza e Covid-19, veç vështirësive të krijuara, paraqet edhe një oportunitet për të “RISTARTUAR” ekonominë botërore mbi një bazë tërësisht të re, ajo që po diskutohet më shumë është se cilët janë kufijtë e sistemit aktual ekonomik dhe nga ku duhet të fillojmë të zerojmë mekanizmat e funksionimit të tij.

Shumica e ekspertëve dhe profesionistëve më të njohur të tregut ndërkombëtar financiar po pranojnë që sistemi ekonomik aktual ka arritur kufijtë e tij dhe kufiri i tij i parë i arritur është ai i borxhit publik, term dhe instrument nga më të përdorurit në këtë situatë. Borxhi global publik në fund të vitit 2019 arriti 255%1 të GDP-së botërore. Parashikohet që viti 2020 të kalojë këtë nivel, ndoshta edhe me 15% më shumë.

Po sa mund të rritet borxhi akoma, sa mund të shkojë raporti i tij me GDP-në në fund të këtij viti pandemik? Nuk kanë qenë të shumta studimet botërore dhe literatura deri para pandemisë për këtë cështje. (Botimi më i plotë është ai i vitit 2018, i RAY Dalio, BIG DEBT CRISES-Principles For Navigeting, i cili analizon: Krizën e borxhit dhe hiperinflacionin në Gjermani në vitet 1918-’24; krizën e borxhit në SHBA 1928-’37 dhe atë të vitit 2007-‘11 dhe mënyrat e agustimit të tyre. Natyrisht, kjo krizë ka sjellë nisjen dhe diskutimin në tregjet financiare të kësaj çështje, në kushtet dhe këndvështrimin e situatës aktuale.

TRI PYETJE PA NJË PËRGJIGJE

Pyetja e parë: A ka arritur borxhi publik në disa vende të zhvilluara në nivele të pafinancueshme? Sado paradoksale të duket kjo, ne jetojmë në një kohë kur problemi i borxhit po zgjidhet me më shumë borxhe (një gjë që nuk zgjidhet me para, zgjidhet me më shumë para). Në gjithë momentet e krizave të mëdha ekonomike pas viteve ‘80, por veçanërisht pas vitit 20082 , 20113 dhe në 20204 u përdor e njëjta politikë: “Injektimi i parave në ekonomi”. Sot, shumë ekonomistë po fillojnë të pranojnë që ekonomia botërore po i ngjan një të droguari që sa vjen dhe rrit dozën e tij. Tezën e “injektimit të parave në ekonomi” e riprovojnë edhe financimet e fundit të miratuara nga BE (Next Generation prej 750 miliardë eurosh) dhe Kongresi Amerikan (900 miliardë usd).

Pyetja e dytë: Si do të rifinancohet borxhi pas pandemisë? Nga pikëpamja teorike ka një përgjigje. Çdo subjekt ekonomik (shtet, kompani, individ) konsiderohet financiarisht i vlefshëm kur është i besueshëm për të marrë borxh dhe akoma më i besueshëm për të transferuar detyrimet e pagesës së borxhit të tij në të ardhmen. Kështu, teorikisht hyjmë në rolin që luan në ekonominë e një vendi institucioni i Bankës Qendrore. A ka një njësi ekonomike më të besueshme se një Bankë Qendrore? Asnjëherë nuk i mbarojnë paratë, për sa kohë që ka aftësinë t’i “shtypë” (të emetojë) ato në sasitë e dëshiruara (nevojshme).

Pavarësisht se ky është një model që, përveç se është “i pamoralshëm”, pasi u kalon faturën brezave të ardhshëm, nuk mund të jetë i qëndrueshëm pafundësisht, shkon në kundërshtim me ligjet e natyrës dhe vetë logjikës ekonomike. Shtetet nuk mund të bëhen piramida dhe aq më tepër kur këto piramida janë të mëdha dhe efektet ekonomike të falimentimit të tyre janë katastrofike. Në literaturën ekonomike, në mënyrë që borxhi të vazhdojë të kthehet (shlyhet ose rifinancohet), pasuria e krijuar duhet të rritet me një ritëm më të shpejtë sesa borxhi i gjeneruar. Është siç veprohet kur hipet në një biçikletë. Nëse ndalet pedalimi, për shkak të inercisë ajo vazhdon të ecë për një fare kohe, por, pastaj, biçikleta bie. Shumë analistë nënvizojnë se nëse GDP-ja është negative për 12 muajt e ardhshëm, atëherë nuk ka asnjë shumë parash që mund të mbulojë borxhet. Nëse një rritje në deficitin e bilancit të Fed me 2-3 trilionë dollarë frikëson botën, imagjinoni borxhet e vendeve si Italia, Spanja apo Franca, sa do ta shqetësojnë botën dhe veçanërisht Europën e Bashkuar.

Pyetja e tretë: Ku do të gjejnë shtetet paratë për të mbuluar deficitin, por edhe për të paguar borxhet e prapambetura që skadojnë? Le t’i kthehemi prapë teorisë ekonomike. Përgjigjja klasike është e thjeshtë: “Ata do të emetojnë bono thesari”. Por kush do t’i blejë ato? E sigurt, jo qeveritë e vendeve të tjera që kanë suficite apo borxh të ulët, siç ndodhte gjithmonë, as shoqëritë e mëdha financiare. Ata, përkundrazi, do të shesin bono, sepse u duhen likuiditete, sepse edhe ata janë goditur nga pandemia. Kush tjetër do të shesë bonot ekzistuese?

Kompanitë e mëdha, për të kompensuar të ardhurat e humbura, fondet e pensioneve për të shtuar të ardhurat e tyre sepse nuk marrin dot interesa dhe të gjithë ato subjekte që u duhet likuiditet. E sigurt që në kushtet e pandemisë nuk janë të paktë. Kush do të gjendet atëherë për të blerë? Bankat Qendrore. Ku do t’i gjejnë paratë? Ato thjesht do të shtypin (emetojnë) para. Bankat Qendrore e konsiderojnë vetën të gjithëfuqishme. Sepse ata mund të rrisin bilancin e tyre vazhdimisht e përgjithmonë. Siç thonë tashme të gjithë ata që analizojnë funksionet e reja të bankave, vetëm Zoti mund të krijojë nga asgjë diçka me vlerë. Zoti dhe sistemi bankar! Dhe mbi të gjitha se nuk do të shtohet paraja letër, por paraja në llogaritë bankare që do të shpenzohet me kartat e kreditit dhe debitit. Ky është një nga ndryshimet më thelbësore të sistemit monetar, efektet e të cilit po i veçoj më poshtë analitikisht.

ZGJIDHJET TEORIKE TE BORXHIT PUBLIK

Ekzistojnë teorikisht tri opsione të disponueshme për politikat ekonomike të qeverive për t’u ndjekur pas pandemisë së Covid-19, por, asnjë prej tyre nuk është e këndshme:

Opsioni i parë: të falimentojnë vendet e tyre, duke mos paguar një pjesë të borxhit. Zgjidhja e falimentimit është praktikisht e pamundur, veçanërisht kur flasim për ekonomi të mëdha. Duke qenë se dollari dhe euro janë tashmë një valutë rezervë pothuajse në të gjitha bankat qendrore, falimentimi i vendeve që kanë këto monedha si rezerva kapitali do të ishte katastrofike për ekonominë globale. Shembulli i falimentimit të Argjentinës është akoma një nga debatet më të mëdha të politikave ekonomike të FMN-së dhe akoma pas 30 vjetësh ajo mbetet e varur nga institucionet financiare, bankat dhe FMN-ja, por edhe është njëkohësisht barrë për to.

Opsioni i dytë: të miratojë masa shtrënguese, duke shkurtuar në mënyrë drastike shpenzimet publike. Masat shtrënguese përballen me sfidat e tyre. Zbatimi i tyre kërkon vullnet të fortë politik. Kur një qeveri zbaton politikat shtrënguese, ajo shpesh përballet me reagime të forta popullore, protesta dhe trazira. Përveç kësaj, ato kanë rezultate të dyshimta, pasi, përveç trazirave sociale, shkurtimet e shpenzimeve dhe rritja e taksave tentojnë të tkurrin GDP-në, duke përkeqësuar më tej raportet e borxhit me të. Politikat e deflacionit të brendshëm të zbatuara në Greqi pas vitit 2011 e treguan më së miri këtë gjë. Për herë të parë, FMNja dhe BE pranuan që vepruan gabim në përballimin e krizës së borxhit me vendet e jugut të Europës.

Opsioni i tretë: politika më pak e dëmshme është inflacioni. Monedha zhvlerësohet qëllimisht për të “gërryer vlerën reale të borxhit”. Huadhënësit do të paguhen plotësisht në shumën që u takon, megjithatë, për shkak të inflacionit, paratë që ata do të marrin vlejnë më pak. Me më pak prodhim të pasurisë mund të paguajmë shuma më të mëdha borxhi. Supozojmë se zgjidhja më e mirë është inflacioni. Sigurisht, ka efekte anësore negative, të cilat përkohësisht nuk po i analizojmë, sepse paraprihet nga probleme të tjera shumë më të mëdha si ai falimentimit ose i “Urisë Sociale”, që sjellin masat shtrënguese.

Natyrisht, është e lehtë të thuash që unë dua inflacion, por, siç e kemi parë në praktikë, është e vështirë të arrihet në një inflacion që rrit ekonominë. Në politikat moderne të emetimit të parasë, si ishte kjo periudhë, nuk la asnjë dyshim se inflacioni nuk varet vetëm nga oferta e parave. Kërkesa për para luan një rol kryesor në nxitjen e tij, një fenomen ky që është kryesisht edhe demografik. Ndërsa plakeni zakonisht, konsumi bie dhe plakja e popullsisë në parim krijon deflacion. Por, ka edhe një arsye tjetër strukturore. Teknologjia është në vetvete deflacioniste. Me më pak përpjekje, më pak orë pune njerëzore, prodhohen më shumë mallra. Përparimi teknologjik rrit produktivitetin. Mallrat janë më të lira sepse kushtojnë më pak. Ja edhe një faktor tjetër që i kundërvihet në kohën tonë “inflacionit zhvillues”. Rezultati: Bankat Qendrore jo vetëm që shpesh nuk arrijnë të krijojnë inflacionin e dëshiruar, por përballen me fenomenin që duan të shmangin me çdo kusht makthin e deflacionit.

Teorikisht, rritja e likuiditetit nuk do të thotë që automatikisht rriten të ardhurat, pra, edhe GDPja. Rritja e kësaj të fundit lidhet edhe me shpejtësinë e qarkullimit të parasë. Kur nuk ka kërkesë për para, shpejtësia e saj bie dhe për rrjedhojë rritja nuk ndikon në madhësinë e DGP-së. Çfarë ndodh atëherë? Kërkesa për para rritet vetëm nga ata që kanë para dhe paratë e marra i drejtojnë në tregun financiar. Por, nuk mendojnë të gjithë se kështu do të ketë zhvillim. Edhe organizmat ndërkombëtare nuk janë më optimistë për ketë politikë. Flluska e tregjeve financiare e vitit 2008 u mësoi Bankave Qendrore shumë gjëra, por, mbi të gjitha, që gabimi i përsëritur është faj.

Problemi i parë që duhet të evitohet me politikat inflacioniste është të ndalohet që të rritet hendeku i pabarazisë. Paratë e emetuara nuk duhet të shkojnë në tregje financiare, por tek ata që nuk kanë para dhe që do t’i shpenzojnë ato direkt në treg. Më të varfrit e përdorin paranë për të blerë gjërat e nevojshme të jetës. Jo për investime. Sa më shumë këmisha mund të blejë një miliarder nga një punëtor? Sa më shumë mund të konsumojë edhe sikur të zgjedhë vetëm sende luksi? Pavarësisht se sa i madh është konsumi i njerëzve shumë të pasur, nuk është e mundur të drejtohet në pjesën më të madhe në konsum dhe për rrjedhojë në ekonominë reale. Vetëm një klasë e mesme e prosperuar mund ta arrijë këtë. Këtu kthehemi prapë tek objektivi i gjithë programeve elektorale: krijimi i një klase të mesme. Përtej shqetësimeve morale ose shoqërore, kur pasuria grumbullohet në duart e një elitë të vogël, ajo është negative për vetë aktivitetin ekonomik. Mendoj se kjo tashmë është kuptuar nga të gjithë. Ndoshta ka ardhur koha për të “ardhura themelore globale”, siç e mbështet haptazi Forumi Ekonomik Botëror, por edhe vetë FMN. Me rastin e pandemisë, fillimi u bë. Qeveritë u “shpërndajnë para qytetarëve të tyre në mënyrë që ata të mos punojnë”, edhe pse ata dëshironin të punonin. Tani në “kohën e pandemisë”, qeveritë po mendojnë seriozisht se kjo është e vetmja rrugëdalje për të trajtuar problemin social të rritjes së papunësisë. Por, si do të bëhet financimi i shtresave të mesme dhe të varfra për të stimuluar konsumin në ekonominë reale?

NJË ZGJIDHJE FANTASHKENCORE E BORXHIT PUBLIK-SMART MONEY

Në fantashkencën moderne të sistemit bankar dixhital, gjithnjë e më shumë po mësojmë se paraja e Gobsekut, të përshkruar nga Honoré de Balzac, nuk po ekziston më. Nëse do të kemi një portofol elektronik në celularin tonë, në të cilin punëdhënësi do të vendosë pagën, kur të shkojmë për të bërë pazar, ne do të skanojmë QR-Code të produktit me celularin tonë dhe paratë do të zbritën automatikisht nga llogaria jonë. Nga ne nuk do të kërkohet të shkojmë tek arka e supermarketit. Nevoja për para letër dhe karta bankare, për sa kohë që keni një smartphone dhe keni qasje në internet, nuk do të na duhen më. Por si do ta përdorin Bankat Qendrore këtë teknologji për të arritur inflacionin që ato duan? Si do të arrijnë ato të vendosin para direkt në kuletën elektronike të të gjithëve? A do të shtypin butonat dhe do të ndajnë para? Dhe ku do t’i gjejnë ato? Nga askund. Si? Nga hiçi? Ata do të krijojnë para në atë moment. Kjo është ajo që rrallë, shumë rrallë në kushtet e pandemisë, ato bëjnë edhe tani. Një shembull: është pikërisht kjo ajo që ndodhi eksperimentalisht në Kinë. Në qytetin e Shenzhen, autoritetet shpërndanë falas Renminbi (monedha zyrtare e vendit) dixhitale falas me lotari (zgjedhje). Të 50,000 personat që i morën ato kishin dy kushte: mund t’i shpenzonin në një periudhë të caktuar kohe dhe vetëm në 3,000 dyqane të zgjedhura të qytetit. Për shkak se ato konsideroheshin para “të zgjuara”, (smart money) ekziston mundësia e planifikimit të tyre. Për shembull, nëse nuk shpenzoheshin brenda një muaji, ato prapa ktheheshin prapa dhe nuk ishin të vlefshme për muajin tjetër. Ja se si të rritet shpejtësia e parave që kërkohej të realizohej me rritjen e kërkesës.

Cilat janë efekte të tjera që do të kenë paratë e reja dixhitale apo e quajtura “Paratë e Zgjuara” (Smart Money)? Kjo do ta bëjë më të lehtë për qytetarët të paraqesin deklarata tatimore, ndërsa qeveria do të kontrollojë të gjitha transaksionet dhe do të anketojë të gjitha taksat e detyrueshme për to. Kështu do të mund të zhduket ekonominë informale dhe korrupsionin që është një nga shkaqet e rritjes së borxhit publik. Nuk do të ketë asnjë arsye për punonjësit e taksave të shkojnë nga subjekti në subjekt të kontrollojnë tatimet. Kjo ngre një çështje të madhe kur bëhet fjalë për zvogëlimin e madhësisë së shtetit, por nga ana tjetër ul shpenzimet e qeverisë dhe për rrjedhojë dhe borxhin. Nëse shteti dhe B.Q. do të duan më shumë inflacion, atëherë ata do të japin një bonus edhe më të madh. Kështu do të krijohet një nxitje shtesë (ndihmë sociale) për dikë që ishte në gjirin e varfërisë. Nga ana tjetër do të zvogëlohej fuqia prodhuese. Çfarë efekti ka kur zvogëlohet fuqia prodhuese? Më pak mallra të prodhuara, që korrespondojnë me më shumë para. Ja se si të sigurohet inflacioni në zgjidhjen fantashkencore të borxhit publik. Në këtë sistem ndryshon rrënjësisht mënyra, në të cilën shpërndahet pasuria.

Kushti për realizimin e këtij skenari shpresëdhënës ose destopian, është zhvlerësimi i parave të gatshme. Po, por për çfarë? Këtu kemi paradoksin e mëposhtëm: nëse monedhat e të gjitha shteteve zhvlerësohen në të njëjtën kohë, praktikisht askush nuk zhvlerësohet. Të gjithë janë të ndërlidhur. Pra, në çfarë aspekti do të zhvlerësohen ato? Përgjigjja vjen nga vetë njeriu me i pasur në botë z. Bil Geic. Gjatë periudhës së pandemisë tha: “Ne po përballemi me transferimin më të madh të pasurisë në historinë njerëzore”.

PËRFUNDIME: Vlera e obligacioneve dhe e bonuseve të thesarit varet nga vlera e monedhave. Nëse monedha është zhvlerësuar, po ashtu edhe obligacionet, edhe bonot e thesarit, e për pasojë edhe borxhet do të zhvlerësohen. Kjo është ajo që FMN po propozon. Një marrëveshje globale, e barabartë me “Bretton Woods”. Të gjitha shtetet do të shtypin të njëjtën sasi monedhe (sipas % së GDP-së) në të njëjtën kohë, do të zbatojnë politikat të njëjta për të ardhurat dhe do të taksojnë me shumë të pasurit. Duke ristrukturuar borxhet, do të ndërtojnë programe të mëdha investimesh publike, veçanërisht duke inkurajuar ato që lidhen me energjinë e gjelbër, dixhitalizimin dhe infrastruturën. Këto janë notat e optimistit në prag të fillimit të fundit të krizës ekonomike të shkaktuar nga Covid-19.

Por, a është ky një raport idesh apo vendimesh të përcaktuara? Mbetet të shihet. Sidoqoftë, a nuk ju duket e çuditshme që organizatat ndërkombëtare, roli i të cilave deri më tani ka qenë të promovojnë idetë e tregut të lirë, të dalin edhe “me propozime që as ekonomistët marksistë nuk guxojnë t’i bëjnë”? Askush nuk e di se ku do të çojë ky transformim. Ndryshimi është kaq kolosal, kaq thelbësor, saqë librat mbi makroekonominë mbase do të duhet të rishkruhen nga kapitulli i pare. Pas kapitullit të parë nga mesi i librit e tutje, të gjithë do të bëjnë supozime se si do të zhvillohet. Supozime, por ende jo gjetje dhe vlerësime.

(Footnotes)

1 “Lo tsunami del debito globale è iniziato“editorialesul ”il sole 24 ore“ data- 15 giugno 2020

2 Falimentimi i “Lehman Brothers”

3 Problemet me borxhin publik te Greqise, Irlandes dhe Portugal ise

4 Kriza e pandemise se Covid-19

/Panorama.com.al