“Kanë shitur hyrjet nga tre herë” Konflikti mes 2 ndërtuesve në Tiranë, flet një grua: Më ka 4800 euro borxh


Një plagosje me armë zjarri ndodhi paraditen e sotme në Tiranë në zonën e njohur si ish-Parku i Autobuzave.

E gjitha ndodhi si pasojë e një përplasjeje mes dy biznesmenëve të ndërtimit Sino Llanaj, i cili mbeti i plagosur dhe Albert Allmuça që dyshohet se fshihet pas atentantit.

“Mollë sherri” për konfliktin është bërë një kompleks pallatesh në kryeqytet.

Sipas informacioneve dy pronarët Llanaj dhe Allmuça kishin rënë dakord për ndërtimin e objektit brenda vitit 2019, por kontrata mes tyre ishte prishur dhe objekti nuk është ndërtuar, duke sjellë probleme të herëpashershme.

Në një prononcim për mediat, një nga pronaret e tokës ku po ndërtohet kompleksi i banimit nga Llanaj dhe Allmuça tha se biznesmenët i kanë shitur hyrjet nga dy ose tre herë, ndërkohë që ky i fundit ka për t’i dhënë dhe 4800 euro.

Jemine Durishti gjithashtu tha se Albert Allmuça është i mbytur në borxhe.

“Kam 4,800 euro për të marrë. Kam tre muaj që vij e ai më fshihet. Më thotë do t’i jap, se jam gjysh, se do marr kredi, unë i du se do të shtrohem në spital. Me Bertin (Albert Allmuça) e kam konfliktin”, – u shpreh Durishti.

“Kushedi sa njerëzve u ka marrë lekët dhe s’ua ka dhënë. I ka shitur nga dy-tre herë hyrjet. Është i mbytur në borxhe. Kushedi sa borxhe ka për të dhënë”, – vijoi ajo.