Skandali te “Shefqet Ndroqi”/ Reagon Pëllumb Pipero, flet dhe për gjendjen e tij 4 ditë pas vaksinës


Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka folur në lidhje me skandalin te “Shefqet Ndroqi” ku sanitarja Tire Alldervishi i mori 8 milione lëkë vajzës së njërës prej pacienteve me C OVID19 duke u hequr si infermiere.

Për Piperon, kjo ngjarje nuk nderon bluzat e bardha, por kurrsesi nuk e njollos këtë uniformë.

“Është një ngjarje që nuk na nderon, edhe pse është sanitare është bluzë e bardhë, por gjithsesi mbetet një rast i veçuar, i shëmtuar që duhet dënuar, i neveritshëm, mënyra sesi është sjellë si ka vepruar e mashtruar, le të shpresojmë që Prokuroria do të tregohet profesionale, ta hetojë çështjen, të shikojë nëse ka dhe implikime të tjera. Të jemi pjesë e qytetarit për ta denoncuar një rast i tillë. Besoj që është një rast i vetmuar, që nuk i njollos bluzat e bardha, bluzat e bardha nuk i ngjan asaj bluze që vetëm e bardë nuk quhet”, thotë ai për Report Tv.

Pipero është një ndër 4 personat e parë që bëri vaksinën anti-C OVID. Ai thotë se deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim.

“Jam i qetë, nuk kam pasur shqetësime të rëndësishme i vetmi shqetësim është një dhimbje e lehtë te vendi i aplikimit, por kjo është normale, nuk kam pasur asnjë lloj shqetësimi, të paktën deri tani”, rrëfen Pipero.