Çela i OSHEE: “Sfidat e menaxhimit në kushtet e pandemisë, nga investimet tek arkëtimet”


Operatorit kryesor në vend, që ka marrëdhënien me konsumatorin fundor, i është dashur të përballet me krizën reale të shkaktuar nga pandemia. Administratori i OSHEE SH.A., Adrian Çela, pohon në një intervistë për “Monitor” se, pavarësisht vështirësive në muajt e izolimit, në qershor është bërë i mundur rikuperimi edhe i atyre treguesve që mund të kishin një mosrealizim.

Sipas tij, pandemia ishte ngjarja e tretë që shkaktoi goditjen më të rëndë, teksa më herët ishin tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019 që patën një dëm jo të vogël për kompaninë. Këtyre u shtohet edhe fatura e importeve, që janë të vazhdueshme që nga viti 2018 për shkak të kushteve jo të mira hidrike. Çela nënvizon se ka vijuar në mënyrë aktive puna në projekte që kanë qenë në proces, ndërkohë nuk janë hapur objekte të reja, duke e mbajtur të ngrirë planin në varësi të vijimit të situatës.

 

Si ka qenë ecuria e punës së OSHEE Group Sh.A në 6 muajt e parë të këtij viti, nisur nga situata jo normale, për shkak të pandemisë? 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kompani publike tashmë e konsoliduar, falë reformës në sektorin energjetik prej afro 6 vitesh, pavarësisht situatave të jashtëzakonshme natyrore dhe shëndetësore, ka mbajtur të stabilizuar objektivin bazë: furnizimin me energji elektrike!

Në fillim dua të rikujtoj se OSHEE, prej vitit 2018, është duke operuar në kushte të vështira për shkak të mungesës së prodhimit në Kaskadën e Drinit dhe thatësirës së tejzgjatur.

Së dyti, në shtator dhe më pas në nëntor 2019, qendra e Shqipërisë, pra dy rajonet kryesore të zhvillimit të aktivitetit të kompanisë u goditën nga tërmeti, duke lënë pasoja financiare si rrjedhojë e dëmeve, etj.

Pa kaluar 4 muaj, vendi ynë, si pasojë e pandemisë së përhapur në botë, u “prek” nga virusi COVID-19, duke kaluar në gjendje fatkeqësie natyrore, pezullim të lëvizjes së lirë dhe disa aktivitete private.

Natyrshëm, situata e pandemisë preku edhe kompaninë tonë, si pasojë e vendimeve dhe akteve normative. Prej muajit mars, operojmë me stafe të reduktuara, me turne, etj., duke respektuar protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa për më shumë se një muaj sportelet tona ofruan shërbim me orare të shkurtuara, duke sjellë anomali në pagesën e faturave.

Pavarësisht sa më lart, OSHEE Group Sh.A, ka mundur të sigurojë energjinë e nevojshme nga importi pa rënduar Buxhetin e Shtetit, riorganizoi punën teknike në terren dhe garantoi furnizimin me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

Deri tani, gatishmëria e strukturave në terren ka qenë në lartësinë duhur, duke pasur parasysh situatën aktuale të vendit. Në sajë të zbatimit të planit të masave për gatishmërinë COVID-19 të OSSH, duke lokalizuar dhe duke likuiduar avaritë e ndodhura në kohë, bëmë të mundur që sektorë jetikë të të gjithë vendit të kenë akses të sigurt dhe me shkallë të lartë cilësie dhe sigurie.

Në kuadër të masave, OSSH, pjesë e OSHEE Group Sh.A, ndërpreu përkohësisht remontet dhe investimet në rrjetin elektrik, për të shmangur ndërprerjet e energjisë elektrike.

Nga analiza e bërë përmes monitorimit të rrjetit elektrik, nuk kemi ndërprerje të energjisë elektrike për institucione të rëndësisë së veçante, si godina spitalore, ujësjellës dhe hidrovoret.

Gjithashtu, në rang vendi, nga Veriu në Jug, në shërbim të abonentëve për probleme të rrjetit elektrik janë 22 numra telefoni (sipas rajoneve) në shërbim 07:00 – 23:00 të abonentëve. Po ashtu, funksionon numri unik i call center 04 227 4141 ora 8:00 e mëngjesit deri në 10:00 të darkës, duke shtuar një turn, pas masave të liri veprimit nga policia.

 

Sa e ka kufizuar kjo situatë planin e investimeve, edhe pse ju keni qenë aktivë me disa projekte, përfshirë atë të matësve, vijimin e të cilit e keni përcjellë edhe vetë me njoftime të vazhdueshme? Cilat janë projektet e tjera ku keni punuar?

Për të garantuar furnizim të rregullt me energji elektrike, në kushtet e thatësirës së tejzgjatur në kaskadën e Drinit, OSHEE rishikoi planin e investimeve, deri në atë pikë sa sot që flasim, po zbatojmë vetëm kontratat e lidhura deri në mesin e vitit 2019.

Kjo do të thotë se investimet e nisura nuk janë ndërprerë, por nga ana tjetër nuk kemi hapur objekte të reja, duke “ngrirë” planin deri në një moment tjetër të favorshëm.

Të ardhurat e shoqërisë po menaxhohen, duke pasur parasysh dy objektiva primarë: furnizimi me energji elektrike dhe me cilësi. E para, duke blerë sasitë e nevojshme në tregun vendas dhe jashtë për të mbuluar nevojat e vendit, dhe e dyta, duke kryer mirëmbajtje të rrjetit elektrik, përmes remonteve të vazhdueshme.

Sa u takon projekteve dhe investimeve në të ardhmen, sikurse e përmenda më lart, OSHEE do të ndjekë një strategji të kujdesshme, bazuar mbi ecurinë e bilancit financiar. Primare për ne është të kemi bazën materiale për mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet e nevojshme në rrjetin elektrik, duke nisur nga siguria e nënstacioneve dhe linjave 35kV, më tej me rrjetin e tensionit të mesëm, kabinat e deri te kabllo që përcjell energji elektrike për konsumatorin.

Falë investimeve të realizuara gjatë 5 viteve të reformës, në vlerë rreth 300 milionë dollarë, kemi mundur të forcojmë dhe të rrisim sigurinë e furnizimit me energji elektrike në të gjitha zonat kryesore urbane, përgjatë vijës bregdetare, si dhe në ato zona rurale ku aktiviteti ekonomik dhe turizmi zënë peshë kryesore.

Aktualisht jemi duke zhvilluar një proces tejet aktiv remontesh, të cilat duhet të ishin kryer në pranverë dhe që kërkojnë pajisje, makineri dhe bazë materiale, duke mos lënë pas dore investimet e nisura më herët, siç është instalimi i matësve elektronikë.

Ky investim zhvillohet në kuadër të projektit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, i shtrirë në të gjithë vendin dhe synon shndërrimin e sistemimit të matjes në parametra bashkëkohorë. Për vitin 2020 kemi si objektiv për të vendosur 120 mijë matës elektronikë, të përshtatshëm për t’u adaptuar në “smart”.

OSHEE u kushton rëndësi investimeve në teknologji, në sistemet SCADA (monitorim dhe operim online i rrjetit elektrik), dhe besoj se në të ardhmen do të jetë në fokusin kryesor.

 

Si paraqitet situata me faturimet dhe arkëtimet? A janë prekur këto nga situata? A është bërë rakordimi i plotë me faturimet referencë që u bënë në muajt problematikë të izolimit? 

Çdo konsumator i energjisë elektrike, familjar apo biznes, duhet të paguajë rregullisht dhe brenda afatit faturën e konsumit mujor. Kjo është e vetmja mënyrë se si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të garantojë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.

Mosarkëtimi i faturave korente të energjisë në këto kushte do të krijonte një gropë financiare, e cila do të detyronte OSHEE që t’i drejtohej Buxhetit të Shtetit që janë sërish taksat e qytetarëve shqiptarë. Mbulimi nga Buxheti do të thotë që ato para që qeveria do t’i akordonte për një fushë tjetër sërish në dobi të qytetarëve do të duhet t’i devijonte në këtë rast për të garantuar mbajtjen e dritave ndezur.

Efekti në cashflow të munguar për OSHEE vetëm për muajin mars rezulton rreth 10 milionë euro.

Pavarësisht periudhës së vështirë të pandemisë, e cila vijon ende sot që flasim, OSHEE Group, duke pasur parasysh shoqëritë OSSH dhe FSHU, ka mundur të ruajë parametrat e nevojshëm të bilancit ekonomik.  Falë punës së vazhdueshme në terren kemi mbajtur në kontroll nivelin e humbjeve në rrjetin elektrik.

Të dhënat si 6-mujor dëshmojnë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mbajtur nën kontroll nivelin e humbjeve, edhe pse në kushtet e emergjencës së shkaktuar nga pandemia. Në këtë periudhë, humbjet në shpërndarje rezultuan 22.8%, pothuajse e njëjta vlerë me atë të një viti më parë.

Sikurse është bërë e ditur, për shkak të mbylljes, në muajin mars 2020, OSSH e faturoi energjinë elektrike duke pasur si referencë konsumin e mars 2019, për afro 30% të abonentëve. Bazuar mbi vendimin e Entit Rregullator të Energjisë u bë i mundur edhe procesi i saktë dhe i drejtë i faturimit në kushtet e izolimit të lëvizjes në të gjithë territorin.

Në muajt prill dhe maj, u sistemuan faturat duke kryer kompensim bazuar mbi leximin e matësit.

Në kushtet kur:

  • Efekti mujor i pritshëm vetëm nga diferenca e çmimit mes energjisë që i shitej biznesit dhe tashmë i shitet konsumatorit familjar arriti përafërsisht në 2 milionë euro në mars,
  • Kostot e energjisë së pafaturuar, por të konsumuar për shkak të zbatimit të pjesshëm të faturimit me vlerë reference mars 2019 apo mungesa e aksesit, etj.

Shoqëria nuk mundi të kapte objektivat në tremujorin e parë, kurse në të dytin, me stabilizimin e situatës, kapërcyem fazën kritike, duke arritur në qershor 2020 pranë nivelit optimist.

Humbjet në tremujorin e dytë zbritën 18.4% nga 19.7% të 2019-s, falë punës së ekipit të Departamentit të Lexim Matjes pranë OSSH.  OSHEE mbetet e përkushtuar në realizimin e objektivit të vitit 2020 për reduktimin e nivelit të humbjeve totale nën nivelin e 21%.

Arkëtimet si 6-mujor arritën në rreth 32.6 miliardë lekë, afro 5% më pak se realizimi i pjesës së parë të vitit 2019, për arsyet e renditura më lart. Pozitiv është fakti i rikuperimit në muajin qershor, ku falë punës së FSHU u arkëtuan rreth 300 milionë lekë më tepër se 2019, për të njëjtin muaj.

Theksoj gjithashtu, se bazuar mbi standardet e matjeve tona, cilësia e shërbimit është e kënaqshme, sa i takon furnizimit me energji elektrike dhe faturimit.

Numri i ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të defekteve në nivele të ndryshme të tensionit rezultoi 50% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës, kurse koha e riparimit të defektit në raport me 2019 është ulur me rreth 30%.

Element tjetër janë ankesat, kryesisht për faturimin, tregues tjetër ky që “mat” shërbimin tonë, të cilat kanë peshë prej 0.2% në raport me totalin e faturave që emeton kompania. Nuk duhet harruar fakti tjetër i rëndësishëm se, në përmbushje të paketës së ndihmës së qeverisë në kushtet e pandemisë COVID-19, OSHEE mori vendimin për faljen e kamatëvonesave të krijuara deri në 31 dhjetor të vitit 2019.

 

Si është organizuar puna e OSHEE Group për t’iu përshtatur protokolleve të reja të sigurisë dhe distancimit?

Menaxhimi i stafit të burimeve njerëzore të kompanisë në kushtet e pandemisë ishte një tjetër sfidë për një shoqëri e cila ka rreth 5500 punonjës, të shtrirë në çdo kënd të Shqipërisë, në mbi 60 drejtori dhe zona shërbimi, si dhe 90 qendra/sportele Kujdesi ndaj Klientit.

Me njohjen e masave anti-COVID-19, OSHEE mori masat e nevojshme, duke operuar në fillim me staf të reduktuar deri me 50% dhe duke respektuar distancën 1.5 m, kurse në sportele punonjësit janë me maska, doreza dhe dezinfektues.

Në qendrat e Kujdesit ndaj Klientit u vendos sinjalistikë për respektimin e distancës, postera informues dhe xham ndarës në sportel. Dezinfektimi i ambienteve të punës kryhet rregullisht bazuar mbi grafikë, apo në bazë të konstatimeve të rasteve me punonjës dhe klientë të prekur nga virusi.

Klientët këshillohen të ruajnë distancën dhe të vendosin maskë. Kjo vlen edhe për stafin tonë në drejtori qendrore dhe rajone, përfshi dhe vizitorët.

Mbyllja e aktivitetit të biznesit për periudhën e pandemisë testoi gjithashtu gatishmërinë e OSHEE për të përballuar rritjen e fluksit të energjisë së konsumuar nga abonentët familjarë. Gatishmëria vijon të mbetet e lartë, edhe aktualisht në sezon turistik, gjithnjë duke iu përmbajtur protokolleve të sigurisë në shëndet.

 

Ju patët një nismë për të zgjeruar kanalet e pagesave, duke shtuar edhe opsionin online. Si është përqafuar kjo risi nga konsumatorët dhe a mendoni ta zgjeroni më tej?

Zgjerimi apo liberalizimi i shërbimit të pagesave për faturat e konsumit të energjisë elektrike nisi në fillim të vitit 2015. Përveç postës apo sportelit në bankë, OSHEE lidh marrëveshje me disa operatorë, duke shtuar pikat alternative të pagesave. Me kalimin e kohës, shërbimi avancoi duke dhënë mundësi për pagesa përmes aplikacioneve, nga kompjuteri apo telefoni, dhe më pas u forcua me shërbimet e ofruara nga portali qeveritar e-albania.

Këto sportele apo kanale alternative, të sigurta dhe të njohura nga OSHEE, morën rëndësi dhe ndihmuan klientin tonë të shmangte radhën, kontaktin fizik në periudhën e pandemisë.

Në muajin mars, vetëm përmes kanaleve alternative janë kryer 316 mijë veprime nga qytetarët që kanë shmangur kështu radhët në sportelet e OSHEE, kurse si 6-mujor janë regjistruar 2.2 milionë pagesa me vlerë rreth 9 miliardë lekë, ose rreth 300 mijë pagesa më tepër në raport me 6-mujorin e parë 2019.

Tashmë përmes sistemeve tona inovatore, çdokush mund ta bëjë pagesën e faturës së energjisë elektrike nga shtëpia, zyra apo kudo qoftë.  Me këtë rast, u bëj sërish apel klientëve tanë, për të shmangur kontaktet e shpeshta apo radhët për pagesat e faturave, mund të përdorin, përveç pikave alternative, shërbimet online, përmes web oshee.al, e-albania, aplikacionet e bankave, etj.

Mjafton të regjistrohen duke futur të dhënat e sakta dhe veprimet i kryejnë lirshëm online, pa qenë nevoja të dalin nga shtëpitë. Për çdo paqartësi, mund të telefonojnë në numrin 04 227 4141 ose të shkruajnë në postën elektronike [email protected]

 

Si kanë qenë importet e energjisë në këtë pjesë të parë të vitit dhe si e prisni pjesën tjetër të tij, duke pasur parasysh parashikimin që keni marrë nga KESH?

Thatësira e tejzgjatur bëri që KESH të prodhojë prej fundvitit 2018 e deri më tani sasi shumë të ulëta energjie. Vetëm për vitin 2020, OSHEE si pasojë e këtij prodhimi të ulët nga kaskada e Drinit, duhet të përballojë faturë shtesë nga kostot e importit me rreth 51.1 milionë euro, e cila duhet të përballohet nga të ardhurat e kompanisë.

Me këtë vlerë kemi blerë në 6-mujorin e këtij viti rreth 1.1 milionë MWh energji elektrike, me çmimi mesatar 48.1 euro për MWh. Shoqëria OSHEE SH.A, përmes Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL SH.A) planifikon të optimizojë blerjen e energjisë elektrike duke kontraktuar më tepër sasi në 6-mujorin e parë, ku çmimet ishin të favorshme, ndërsa në periudhën e verës blejmë më pak në treg të parregulluar, pasi çmimet janë më të larta.

Sipas planifikimit, për periudhën gusht – dhjetor 2020, bazuar mbi skenarin e prodhimit të marrë nga shoqëria KESH Sh.A për sasi 3.6 milionë MWh, FTL Sh.A planifikon të shpenzojë rreth 20 milionë euro, referuar bursës hungareze HUPEX./ Monitor