Europa Qëndrore dhe Lindore: Rritje ekonomike dhe punësim falë lirisë ekonomike


Rritje ekonomike e lartë, punësim i plotë, një shtet i mirë-menaxhuar … Ka shumë mundësi që brenda një periudhe të ardhshme 20 ose 30 vjecare, vendet ish-komuniste do të jenë fuqi të konsiderueshme ekonomike rajonale dhe zona të konsiderueshme tregtare.

Aymeric Belaud

Iref-Europe

Ish vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, të quajtura “demokraci popullore” në komunizëm, po përjetojnë rritje të konsiderueshme të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullsitë e tyre. Kjo mund të konsiderohet si një “boom”i vërtetëe. Një nga shembujt më domethënës është ai i Republikës Çeke. Në të vërtetë, Çekët po bëhen më të pasur se Spanjollët dhe Italianët.

Cila është receta për këtë sukses? Përgjigja është e thjeshtë, është liberalizmi ekonomik.

Më shumë liri ekonomike në Europën Qëndrore dhe Lindore

Duke njohur tiparet dhe pasojat e totalitarizmin komunist, vendet e Lindjes nxituan ta bënin vendin dhe ekonominë e tyre më të lirë. Që nga rënia e murit të Berlinit, disa shtete janë reformuar rrënjësisht. Ky ishte rasti që në vitin 1995 për Republikën Çeke dhe Estoninë, të cilat tani janë ndër vendet më të lira në Evropë.

“Indeksi i Lirisë Ekonomike, i krijuar në “vitin 1995 nga Heritage Foundation dhe Wall Street Journal, është një instrument i jashtëzakonshëm për matjen e lirisë së dhënë aktorëve ekonomikë. Ai merr parasysh 12 tregues, duke filluar nga niveli i shpenzimeve publike deri në respektimin e pronës private, përfshirë shëndetin fiskal dhe sidomos efikasitetin e drejtësisë.

Estonia e gjen veten si një nga vendet më të lira në Evropë, dhe madje edhe në botë me një pozicion të 10-të në vitin 2020 në këtë renditje. Republika Çeke është e 23-ta, përpara Gjermanisë që renditet e 27-të. Franca është e 64-ta…, prapa Rumanisë e renditur  e 38-të dhe Polonia e 46-ta.

Ekziston një përpjekje e vërtetë për të liberalizuar ekonominë në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Dhe kur krahasojmë indekset e lirisë ekonomike, zbulojmë lehtësisht se vendet e Lindjes kanë një dinamikë që tejkalon atë të disa vendeve të Perëndimit, madje edhe të Gjermanisë.

 

Indeksi i lirisë ekonomike dhe evolucionet e saj Evropa Lindore

1996 2009 2020 Evolucioni1996-2020 Evolucioni2009-2020
Franca 63.7 63.3 66.0 +2.3 +2.7
Gjermania 69.1 70.5 73.5 +4.4 +3.0
Spanja 59.6 70.1 66.9 +7.3 -3.2
Italia 60.8 61.4 63.8 +3.0 +2.4
Rumania 46.2 63.2 69.7 +23.5 +6.5
Polonia 57.8 60.3 69.1 +11.2 +8.8
Republika Ceke 68.1 69.4 74.8 +6.5 +5.4
Hungaria 56.8 66.8 66.4 +9.6 -0.4
Estonia 65.4 76.4 77.7 +12.3 +1.3

 

Nëse disa vende u hapën më herët ndaj reformave liberale në fund të “viteve të periudhës Komuniste”,  të tilla si Estonia dhe Republika Çeke, të cilat janë vendet më të lira në Europën lindore, të tjerët kanë përshpejtuar lëvizjen e tyre drejt lirisë ekonomikie në 1 apo 2 dekadat në vazhdim. Veçanërisht, ky është rasti për Poloninë dhe Rumaninë, vende të cilat kanë lëvizur përpara Francës në renditjen e indeksit të lirisë ekonomike dhe janë më afër Gjermanisë. Këto janë dy vendet që regjistruan sukseset më të konsiderueshme në liberalizimin e ekonomisë së tyre në periudhën midis viteve 2009 dhe 2020.

Rezistenca dhe kundërshtimi i tyre ndaj këtyre reformave liberalizuese është i vogël në Estoni dhe Republikën Çeke, ku partitë politike, të majta, të djathta apo edhe populiste, kanë përfshirë pothuajse të gjitha elementet liberale në programet e tyre. Për shkak se reformat kanë përmirësuar standardin e jetesës së të gjithë popullsisë, tashmë ato tani po japin fryte me rezultate të shkëlqyera.

Për më shumë rritje ekonomike dhe më pak papunësi

Liria ekonomike promovon rritjen ekonomike dhe rënien e papunësisë. Në tabelën vijuese, ne shohim se rritja ekonomike e vendeve që bëhen të lira ekonomikisht rritet.

Shkalla reale e rritjes së PBB-së dhe evolucioni i saj në lidhje me evolucionin e indeksit të lirisë ekonomike për Evropën Lindore

Rritja ekonomike 2019 Rritja ekonomike mesatare 2009-2019 Ecuria e indeksit të lirisë ekonomike në periudhen 2009-2020
Franca 1.5% 1.4% +2.7
Gjermania 0.6% 1.9% +3.0
Spanja 2.0% 1.0% -3.2
Italia 0.3% 0.2% +2.4
Rumania 4.1% 3.1% +6.5
Polonia 4.1% 3.6% +8.8
Republika Ceke 2.3% 2.4% +5.4
Hungaria 4.9% 2.7% -0.4
Estonia 4.3% 3.7% +1.3

 

Përveç Hungarisë, vendet ku aktorët ekonomikë nuk janë nën presionin e peshës dhe burokracisë së shtetit, po përjetojnë një rritje ekonomike të fortë, gjë që do ta bënte të gjithë Evropën Perëndimore dhe Jugore të “reflektonin thellë”. Rumania dhe Polonia, me një evolucion të indeksit të lirisë ekonomike prej më shumë se 6 pikë gjatë dhjetë viteve të fundit, po përjetojnë rritje mesatare ekonomke prej më shumë se 3% në vit gjatë së njëjtës periudhë. Rezultate të mira këto vende kanë edhe në lidhje me nivelet e papunësisë, niveli i të cilave është relativisht i ulët në vendet e Lindjes, krahasuar me vendet e Evropës Jugore.

Krahasimi midis shkallës së papunësisë dhe indeksit të lirisë ekonomike

% e papunësisë 2019 Indeksi Lirisë Ekonomike 2020
Franca 8.2% 66.0
Gjermania 3.3% 73.5
Spanja 13.7% 66.9
Italia 9.6% 63.8
Rumania 4.0% 69.7
Polonia 2.9% 69.1
Republika Ceke 2.0% 74.8
Hungaria 3.4% 66.4
Estonia 4.4% 77.7

 

Republika Çeke është një shëmbull mbresëlënës me një normë papunësie prej 2%! Punësimi i plotë është gjithashtu një realitet i prekshëm dhe në Poloni, vend me më pak se 3% papunësi. Spanja, Italia dhe Franca, vendet me indeks më të ulët të lirisë ekonomike në këtë renditje, janë vende me një numër më të lartë të të papunëve. Hungaria, në një shikim të parë, krahasuar me vendet e mësipërme, mund të duket si një UFO, me një indeks të ulët të lirisë ekonomike, i mbetur në stanjacion prej 10 vitesh, por ndërkohë rezulton me një nivel papunësie shumë të ulët shoqëruar me një rritje ekonomike prej 5% në vitin 2019.

Një shqyrtim i hollësishëm i treguesve të indeksit të lirisë ekonomike na jep shpjegimin e mëposhtëm : liria tregëtare shumë e rëndësishme (86.4), liria e investimeve (80.0), dhe një nivel mjaft i ulët i taksimit (79.9, një vlerësim shumë i mirë). Në të kundërt, në Francë, të njëjtët tregues janë përkatësisht në 81.4, 75.0 dhe 48.8 (shumë afër presionit të lartë fiskal!).

Është treguesi i nivelit të taksimit ai që ka një ndikim të madh në performancën ekonomike të Hungarisë. Hungaria hoqi taksën e pasurisë dhe futi një taksë të sheshtë të të ardhurave, në nivelin 16%. Në Hungari, taksa për korporatat është gjithashtu shumë e ulët, me dy nivele, në 10 dhe 19%. Rezultati: asnjë pengesë kufizuese për nivele të ndryshme të ardhurash duke stimuluar në maksimum “Lulëzimin e bizneseve”. Ky sistem tatimor i lejon Hungarinë të arrijë rezultate shumë të mira për sa i përket rritjes ekonomike dhe dhe nivelit të ulët të papunësisë. Sidoqoftë, Hungaria është vendi lindor me borxhin publik më të lartë, ndërsa vendet me indeks më të lartë të lirisë ekonomike kanë borxh publik më të ulët.

Ekonomitë më të lira kanë dhe Shtetet më të mirëmenaxhuara

Liria ekonomike, krijon gjithashtu mundësitë për të patur një Shtet të mirëmenaxhuar, dhe për këtë arsye edhe me një nivel të ulët të borxhit publik. Vendet e Lindjes e kanë kuptuar dhe përvetësuar mirë këtë element të rëndësishëm dhe borxhi i tyre publik është i ulët krahasuar me borxhin publik të  të Francës, Italisë ose Spanjës.

Në tabelën vijuese, ne vërejmë se dy vendet me indeksin më të ulët të borxhit janë gjithashtu dy vendet me indeksin më të lartë të lirisë ekonomike, dhe anasjelltas, se vendet me borxh publik më të lartë janë edhe ato ku indeksi i lirisë ekonomike është më i ulët..

Krahasimi midis borxhit publik dhe indeksit të lirisë ekonomike

Borxhi publik në %/PBB tremujori I-rë 2020 Indeksi Lirisë ekonomike2020
Franca 101.2% 66.0
Gjermania 61.3% 73.5
Spanja 98.8% 66.9
Italia 137.6% 63.8
Rumania 37.4% 69.7
Polonia 47.9% 69.1
Republika Ceke 32.8% 74.8
Hungaria 66.6% 66.4
Estonia 8.9% 77.7

 

Vështirësitë për të vlerësuar menaxhimin e periudhës së pandemisë së covid-19

 

Në këtë kohë krize pandemiketë shkaktuar nga prezenca e Covid-19, vendet kanë miratuar strategji të ndryshme menaxhimi të kësaj krize. Në mes të janarit 2021, Estonia rezulton si një nga vendet europiane me më pak kufizime : vetëm me maskën e detyrueshme dhe kufizimet në dyqane, mbyllja e vetme, ajo e institucioneve kulturore dhe sportive, u përqëndrua vetëm në rajonin e kryeqytetit, Talin. Dhe duket se vendi po ecën mirë me 321 vdekje për milion njerëz që nga fillimi i krizës, gjë që e rendit atë ndër më të mirët. Nga ana tjetër, situata është përkeqësuar më shumë në Republikën Çeke (1,509 të vdekur / milion njerëz) dhe në Hungari (1,245 të vdekur për 1 milion njerëz) përkundër masave të rrepta të ndërrmara nga qeveria (ora e ndalimit policor në Republikën Çeke, mbyllja e pjesshme në Hungari). Polonia e izoluar ka rezultate relativisht më të mira (989 vdekje / milion banorë) edhe pse masat shëndetësore përkatëse janë më pak të rrepta sesa në Çeki dhe Hungari.

Në këtë këndvështrim, strategjitë e përballimit dhe menaxhimit të situatës së pandemisë së covid-19 ndryshojnë nga vendi në vend në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke i bërë krahasimet të vështira.

Por, nga ana tjetër, egziston një konsensus i gjerë që evidenton faktin se liberalizmi ekonomik lejon një zhvillim më të mirë ekonomik. Vitet 2020 dhe 2021 natyrisht që do ta ngadalësojnë këtë tendencë e zhvillim pozitiv për këto vende, por kur gjithçka të kthehet në normalitet, ka të ngjarë që brenda 20 apo 30 vitet e ardhshme, vendet ish-komuniste të Europës Qëndrore e Lindore do të jenë fuqi ekonomike rajonale dhe zona të rëndësishme tregtare. Vendet e Evropës Jugore, pjesë e së cilës është Franca, mund të kthehen përsëri në lojë. Por për këtë, dikush duhet të ketë guximin të reformohet në thellësi, të luftojë kundër borxhit publik dhe të çlirojë forcat e zhvillimit të asfiksuara nga rregullimi i tepërt, presioni lartë fiskal, etj.

Përgatiti Adrian CIVICI

Punësim pa produktivitet, prodhimi për punonjës ra më 2019 sipas INSTAT.

Numri i të punësuarve u rrit më tej në vitin 2019, por shtimi i tyre të paktën sipas statistikave zyrtare nuk u shoqërua me rritjen e prodhimit për punonjës. Ecuria tregon se, rritja e numrit të të punësuarve nuk e ka rritur produktivitetin në ekonomi dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurat e tyre, sipas të dhënave INSTAT të azhurnuara në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve më 2019. Prodhimi për të punësuar shënoi 2673 mijë lekë më 2019, nga 2698 mijë lekë më 2018 duke shënuar rënie me një rënie gati 1%. Në ndërmarrjet ekonomike aktive në vitin 2019 janë punësuar 530.853 persona, rreth 15 mijë të punësuar më shumë, ose 3% rritje në raport me vitin 2018. Ekspertët dhe institucionet financiare ndërkombëtare analizojnë se produktiviteti i punës ka rënë në Shqipëri për dy arsye kryesore. E para, shumica e vendeve të reja të punës nuk janë hapur rishtas, por janë formalizuar, për rrjedhojë nuk kanë se si të ndikojnë në prodhim. E dyta, stoku i ri i punësimit më 2019 ka ndodhur në sektorë me vlerë të ulët pagese. Më parë, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare vuri në dukje se, vëllimet e produktivitetit të punës ndryshuan në Shqipëri dhe të gjithë rajonin me tendencë rënie. Përjashtim bëri vetëm Bosnja, e cila tregoi një rritje të jashtëzakonshme 5.2%. Të gjitha vendet e tjera të rajonit raportuan  ngadalësim, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi raportuan rënie të fortë të produktivitetit në vitin 2019. Në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor punësimi u rrit më shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndajnë më pak fitime nga puna gjatë vitit të kaluar. Ekspertët vlerësojnë se në afat të mesëm dhe të gjatë, produktiviteti i punës në Shqipëri dhe në Ballkan do të cenohet nga zhvillimet demografike dhe cilësia e ulët arsimore. Popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) vazhdoi të zvogëlohej në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, një prirje e nxitur nga plakja e popullsisë dhe rritja e vazhdueshme e emigrimit. Që nga viti 2012, popullsia në moshë pune në vendet e Ballkanit Perëndimor ra me rreth 762,000, ose 6 për qind. Bosnja dhe Hercegovina është prekur më së shumti, duke raportuar rënie prej më shumë se 20%, e ndjekur nga Serbia (-10%), Shqipëria (-8.8%), Mali i Zi (-3.1%) dhe Maqedonia e Veriut (-1.4%). I vetmi vend që raportoi rritje të konsiderueshme ishte Kosova (me 5%). Zhvillimet demografike po ushtrojnë presion mbi modelet ekonomike të rajonit. Ekspertët e Vjenës bëjnë thirrje se Shqipëria dhe Ballkani duhet të rrisin aftësitë mësimore si baza për t’u orientuar drejt ekonomisë së inovacionit. Në ndërmarrjet ekonomike aktive gjatë vitit 2019, janë punësuar 530.853 persona. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 41,4% të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 46,8% të shitjeve neto dhe 55,8% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4% të ndërmarrjeve aktive./B.Hoxha/ Fjala.al/