Kriza ekonomike, bizneset pesimiste për ringritje në 2021


Bizneset shqiptare ndihen pesimiste për ecurinë e aktivitetit të tyre gjatë këtij viti. Sondazhe me sipërmarrjet vendase e të huaja nga institucione të ndryshme shfaqin pritshmëri të ulëta se të paktën brenda muajve të ardhshëm mund të ringrihet xhiroja dhe të rritet numri i të punësuarve.

Një anketë e Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri zbulon se më pak se një e treta e kompanive që operojnë në vend shohin një perspektivë ekonomike brenda këtij viti. Një numër edhe më i vogël pret një përmirësim, deri në fillim të sezonit veror.

Rënia e kontratave porositëse, fuqia më e ulët blerëse, masat kufizuese dhe mungesa e klientëve janë disa nga problemet që rëndojnë sot mbi bizneset në Shqipëri, sipas kësaj ankete.

Krahasimisht me shtetet e tjera, biznesi në Shqipëri e sheh situatën edhe më të zymtë. Kjo shfaqet në raportin e Deloitte për Europën Qendrore, ku drejtuesit financiarë të kompanive shprehen për ekonominë.

63% e bizneseve shqiptare presin një rritje ekonomike më të ulët se 0.5% këtë vit dhe shtim të numrit të të papunëve. Pritshmëritë janë të ulëta lidhur edhe me inflacionin, nisur nga kërkesa e ulët për konsum.

Bizneset shqiptare raportojnë gjithashtu një ndër nivelet më të lartë të pasigurive për ecurinë e veprimtarisë dhe rezultatin financiar, arsye pse pjesa dërrmuese nuk e konsideron 2021-in një moment për të rrezikuar duke bërë investime.

Një panoramë e tillë, që paraqesin dy sondazhet, shfaqin një ambient shumë të pafavorshëm për biznesin, që është qartësisht në vështirësi. Në këto kushte sipërmarrja nuk mund të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike, detyrë e cila i mbetet tërësisht qeverisë me hapësirat e saj fiskale të kufizuara./ A2CNN