Ndotja e ajrit shkakton edhe verbëri të parakohshme


Ndotja e ajrit, mund të turbullojë shikimin tuaj pas disa kohësh. Në këto përfundime ka dalë një studim i cili gjeti një lidhje midis ndotjes së ajrit me grimca të imëta dhe degjenerimit makular, një sëmundje e syve e lidhur me moshën, që mund të çojë në një verbëri të pakthyeshme.

Gjetje të tilla japin alarmin se ndotja e ajrit mund të jetë e dëmshme për shëndetin tonë.  OBSH, vlerëson se mbi 90 për qind e popullsisë së botës jeton në vende, ku nivelet e cilësisë së ajrit tejkalojnë kufijtë e caktuar për ndotësit që paraqesin rreziqe shëndetësore.

Më shumë shqetësuese janë grimcat e imëta, të quajtura PM 2.5. Grimcat mikroskopike me madhësi më të vogël se 2.5 mikrometra, mund të depërtojnë thellë në mushkëri, dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar inflamacion rreth trupit.

Ekspozimi i përsëritur ndaj këtyre ndotësve, mund të irritojë sytë dhe fytin e njerëzve, si dhe të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje. Po ashtu, ndotja e ajrit të ambientit përbën 43 për qind të vdekjeve nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, dhe më shumë se një të katërtën e të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive, nga sëmundjet e zemrës apo goditja në tru.

Në këtë studim, fokusi ishte tek degjenerimi makular i lidhur me moshën (AMD), një gjendje ku shikimi i një personi përkeqësohet me moshën, duke çuar në shtimin e humbjes së shikimit, dhe potencialisht edhe në verbëri të plotë.