Ringritja e madhe ekonomike dhe menaxhimi i risqeve post-Covid


Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli

Tashmë po provohet se pandemia e Covid-19 është ngjarja më e madhe historike e 30 viteve të fundit, që po sjell ndryshime sociale-ekonomike në të gjithë botën. Prandaj, ka një angazhim dhe aleancë të gjerë globale të ekspertëve dhe institucioneve më prestigjioze dhe liderëve të vendeve më të zhvilluara për t’i bërë ballë jo vetëm pandemisë, por edhe pasojave ekonomike e sociale. Vaksinimi i popullsisë, ringritja ekonomike, menaxhimi i risqeve për të ardhmen, mbeten pa dyshim prioritetet e prioriteteve në këtë situatë. Të angazhuara në këto prioritete, institucionet si FMN, BB, OECD, forume ndërkombëtare ekonomike e shkencore si Forumi i Davosit etj. japin alternativat dhe rekomandimet për ringritjen e madhe dhe menaxhimin e risqeve në periudhën post-Covid. 

Klaus Schwab, themelues i “Forumit Ekonomik Botëror”, në një intervistë të kohëve të fundit, nuk e fshehu faktin se “…Pandemia e Covid-19 paraqet edhe një mundësi reale për të ‘RISTATUAR’ ekonominë botërore. Dhe kjo duhet të konsiderojë edhe menaxhimin e risqeve të së ardhmes. Prandaj, edhe gjatë zhvillimit të para pak kohesh të këtij Forumi të Davosit, drejtuesit më të lartë kanë theksuar nevojën që “Duke u përballur me krizën e vazhdueshme të shëndetit publik të COVID19 dhe efektet e zgjatura të pandemisë në ekonominë globale, politikëbërësit në të gjithë botën duhet të marrin këtë moment për të reflektuar jo vetëm në rimëkëmbjen e menjëhershme, por edhe në mënyrën se si mund të përdoret kjo kohë për të transformuar sistemet e tyre ekonomike” (WEF, 25.01.2021, Saadia Zahidi). Por, ngjarjet dhe efektet e tyre kanë treguar se vetëm rritja dhe produktiviteti nuk janë të mjaftueshme, pa adresuar çështjet e pabarazisë dhe mjedisit. Ekziston një nevojë për të ndryshuar politikat në mënyrë që ekonomitë të vendosin në qendër të vëmendjes së tyre qëndrueshmërinë dhe përfshirjen sociale.

Janë këto arsyet që Forumi Ekonomik Botëror i Davosit këtë radhë u prezantua me logon “The Great Reset”, duke theksuar domosdoshmërinë e përgatitjes për një rifillim apo ringritje të madhe, duke shmangur përsëritjen e gabimeve të mëparshme. 

Sipas Schëab, “Kjo pandemi globale ka demonstruar qartë sesa të ndërlidhur jemi. Ne duhet të rivendosim një sistem funksional të bashkëpunimit të zgjuar global, të strukturuar, për të adresuar sfidat e 50 viteve të ardhshme. The Great Reset/Rivendosja e Madhe, do të kërkojë që ne të integrojmë të gjithë aktorët e shoqërisë globale në një komunitet me interes, qëllim dhe veprim të përbashkët”. Thelbi i të gjithë diskutimeve dhe përpjekjeve në nivelet më të larta të organizimeve botërore ishte nevoja për një ndryshim të mendimit, duke kaluar nga të menduarit afatshkurtër në atë afatgjatë, duke kaluar nga kapitalizmi i aksionerëve (shareholder capitalism) në përgjegjësinë e palëve të interesit (stakeholder capitalism). Objektivi do të jetë që qeverisja mjedisore, shoqërore dhe qeverisja e mirë të bëhen elementë të matshëm të përgjegjësisë së korporatave dhe qeverive.

Axhenda e Davos-it, që në fillimet e shpalljes së saj, ka mobilizuar udhëheqësit globalë për të punuar së bashku praktikisht për të arritur një të ardhme më gjithëpërfshirëse, kohezive dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Angazhimi i një numri të madh grupesh dhe vetë mënyra e organizimit të këtij forumi javën e fundit të muajit janar ishte projektuar për të ndihmuar udhëheqësit të gjenin zgjidhje inovative dhe të guximshme për të ndaluar pandeminë dhe për të nxitur një rimëkëmbje të fuqishme gjatë viteve të ardhshëm.

Praktikisht, grupet e angazhuara kanë përcaktuar dhe kanë studiuar në avancë, por brenda axhendës së takimit në Davos, se çfarë ndryshimesh të rëndësishme pritet të sjellë 2021 në sistemet ekonomike. Në këndvështrimin e menaxhereve e drejtuesve të lartë nga biznese dhe korporata lidere në fusha të ndryshme të aktivitetit global, një vend të rëndësishëm zë çështja e rreziqeve kryesore, me të cilat mund të përballen bizneset në të ardhmen.   Kjo çështje e parashikimit të risqeve në periudhat e ardhshme ka nxitur analiza të ekspertëve, që edhe janë evidentuar në raportin e ËEF mbi riskun global 2021. Ky raport rendit motin ekstrem dhe dështimin e politikave të klimës si rreziqet më të mundshme, ndërsa sëmundjet infektive dhe përsëri dështimin e  veprimeve të klimës i rendit të parat nga masa e ndikimit të tyre. Probabiliteti i lartë i ngjarjeve dhe ndikimi i lartë që ato mund të kenë i nxisin organizmat qeveritare dhe bizneset të bashkërendojnë punën për të përballuar këto sfida të ardhshme.

  1. MJEDISI I BIZNESIT DO TË PËRBALLET ME PASIGURI MË TË MADHE NË PERIUDHËN POST-COVID

Gjatë vitit të kaluar, mjedisi i biznesit u bë shumë më i pasigurt për shkak të paqartësisë së zgjatur dhe konfuzionit në qasjet e përgjigjes pandemike, prej sfidave të shpërndarjes së vaksinave dhe zhvillimit të varianteve të reja të virusit, si edhe nga efektet zinxhir në rreziqe të tjera. Bizneseve iu është dashur të menaxhojnë krizat e dyfishta ekonomike dhe shëndetësore, të cilat i kanë detyruar të hartojnë protokollet e reja të angazhimit të punonjësve dhe prezencës së klientëve, të organizojnë punën në distancë në një shkallë të pamenduar dhe paplanifikuar më parë, të riprojektojnë zinxhirët e furnizimit dhe të ndeshen me falimentime, konsolidime dhe partneritete krijuese të shumta.

Nisur nga këto zhvillime dhe parashikimi afatgjatë i rrezikut, organizatat duhet të mendojnë se si të përgatiten për ato që mund të ndodhin në të ardhmen. Më kryesorja në vëmendjen e tyre është mbijetesa dhe si të rrisin qëndrueshmërinë. Dhe jo vetëm në lidhje me ndikimet e vazhdueshme pandemike dhe pozicionimin e tyre konkurrues, por gjithashtu edhe ndaj tendencave të fundit të sulmeve kibernetike, ngjarjeve katastrofike të klimës dhe trazirave sociale që kërkojnë ndryshime në vendin e punës dhe në komunitet. Ndërsa shumë biznese (në Shqipëri) janë përshtatur me rrethanat që ndryshojnë shpejt – duke mbajtur e konsoliduar pjesën e tregut në proces – jo të gjitha kanë mundur ta realizojnë këtë. Dhe as të gjithë bizneset nuk do të përfitojnë njëlloj nga rimëkëmbja e pritur ekonomike. Bizneset duhet të jenë të gatshëm për një zhvillim aktiviteti të vështirë gjatë kësaj periudhe të paqëndrueshme të rimëkëmbjes. Ato do të duhet të forcojnë dhe rishikojnë vazhdimisht strategjitë e tyre të zbutjes së rrezikut për të përmirësuar qëndrueshmërinë e tyre ndaj goditjeve të ardhshme.

  1. ORGANIZATAT DUHET TË MONITOROJNË TRE FAKTORË TË RREZIKUT: ATË POLTIK, TEKNOLOGJIK DHE SHOQËROR.

Ndryshimet e mëdha – të njohura kryesisht me termin përçarje/ disruption – ndodhin kudo. Industritë po përballen me përçarje nga të gjitha anët e në të gjithë sektorët. Kjo situatë kërkon nga drejtuesit e lartë të vëzhgojnë me kujdes tri grupe faktorësh kritikë të rrezikut – politik, teknologjik dhe shoqëror.

Në këndvështrimin politik, biznesi duhet të jetë i vetëdijshëm për llojet e ndryshme të paketave stimuluese dhe mënyrën se si ato mund të mbështesin më shumë sektorë të veçantë të ekonomisë, sipas prioriteteve kombëtare ose rajonale. Biznesi i vogël dhe i mesëm, i goditur rëndë gjatë pandemisë, mund ta ketë jo të lehtë përfshirjen në ciklin e rimëkëmbjes. Shumë vende po rishikojnë politikat ekonomike dhe po orientohen gjithnjë e më shumë drejt krijimit të ekonomive më të pavarura dhe të vetëqëndrueshme. 

Pjesërisht, në përgjigje të COVID-19, gjatë së cilës mbylljet e kufijve, bllokimet dhe kufizimet e eksportit këputën zinxhirët globalë të furnizimit, kompanitë duhet të ndjekin me kujdes ndryshimet në politikat e brendshme që përqendrohen në sigurinë kombëtare dhe vetëmjaftueshmërinë.

Faktorët teknologjikë gjithashtu po përshpejtojnë dhe përçajnë mjedisin e biznesit. Pandemia ka nxitur një revolucion të padëgjuar të teknologjisë për bizneset e mëdha dhe të vogla. Dixhitalizimi i shpejtë transformoi ndërveprimet shoqërore dhe të punës “brenda natës”. Tregtia elektronike, videokonferencat, transmetimet e të gjitha formave pësuan një rritje të paparë. Është vlerësuar se përdorimi i internetit në të gjithë botën në vitin 2020 u rrit me 30%, ndërsa tregtia elektronike u rrit me 20% (OECD, 2020).

Në të vërtetë, fakti që teknologjia është edhe burim, edhe mjet për zgjidhje apo zbutje të rreziqeve, është bërë mjaft i qartë nga një mori shembujsh përgjatë krizës së fundit.

Dixhitalizimi i shpejtë gjithashtu ka rritur në masë shumë të madhe edhe ekspozimin kibernetik të kompanive dhe ka krijuar rrjete më komplekse dhe potencialisht më pak të sigurta. Raporti Global i Risqeve 2021 (ËEF, 2021) thekson dështimin e masave të sigurisë kibernetike si një rrezik kryesor afatshkurtër. Përgjatë gjithë vitit 2020 ka pasur shtim të sulmeve kibernetike ndaj agjencive qeveritare dhe kompanive në mbarë botën – në shumë raste u përdor kriza COVID-19 për të infiltruar në rrjetet. Në nivel global, nga gjysma e dytë e vitit 2019 në gjysmën e parë të vitit 2020, sulmet u dyfishuan (Bloomberg, 01.2021). Ndryshimet teknologjike rrënjësore mund të krijojnë rreziqe të mundshme katastrofike në një periudhë afatgjatë. Tendenca drejt automatizimit, në përgjigje të nevojës për efikasitet dhe fuqisë punëtore fizikisht të reduktuar në vendet e punës , mund t’i ekspozojë bizneset ndaj rreziqeve të paparashikuara financiare dhe etike. Aq më tepër theksohet kjo kur konsumatorët janë bërë më aktivë për të vepruar në aspektin social dhe forcat e punës janë më të prirura për të reaguar për humbjen e punës. Ndërkaq, një nga mësimet e pandemisë është që pas saj asgjë nuk do të jetë më si më parë, prandaj pjesa më e madhe e përfaqësuesve të shkencës ekonomike janë dakord se ndryshimet themelore do të realizohen te modelet e biznesit. Ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se modeli i vjetër ekonomik duket i dobët dhe format e vjetra të të bërit biznes të tejkaluara. Nëse 10 vjet më parë në qendër të vëmendjes ishin Startup-et sot, gjithmonë e më shumë në qendër të vëmendjes janë elementet e industrisë 4.0, teknologjitë e inteligjencës artificiale, sistemet e digjitalizimit dhe shoqëritë me rikapitalizim të shpejtë të aseteve ekonomike. Në një mënyrë ose në një tjetër, ndryshimi do të vijë, bashkë me të edhe modelet e reja të biznesit. Detyra jonë është të jemi të përgatitur sa më parë për atë që do të vijë.

Faktorët shoqërorë gjithashtu po krijojnë presion real mbi industrinë. Bizneset po përballen me vëzhgim të imtë shoqëror të praktikave të tyre, veçanërisht në lidhje me aspektet mjedisore, sociale dhe qeverisëse të performancës së biznesit (ESG) dhe ndryshimit të klimës. Këto shqetësime prioritare reflektohen në Raportin e Rreziqeve të këtij viti, në të cilin rreziqet mjedisore mbizotërojnë në kuadratin me mundësi të mëdha dhe me ndikim të lartë të kuadrit të rrezikut. Më shumë se kurrë, konsumatorët, punonjësit dhe investitorët presin që firmat të pasqyrojnë vlerat e tyre. Kjo u bë e dukshme ndërsa shfaqeshin ndikimet afatgjata të pandemisë në shëndetin, shoqërinë dhe ekonominë, si dhe në përgjigjen ndaj lëvizjeve globale të drejtësisë sociale.

Transformimet në vendin e punës dhe shëndetit. Pandemia ka transformuar nevojat dhe kërkesat e punonjësve dhe vendeve të punës, qofshin ato në kompani apo zyra qendrore, fabrika prodhimi, dyqane, spitale, qendra shpërndarjeje ose transporti. Përvoja më e madhe me punën në distancë dhe orët fleksibël të punës po ndryshon pritshmëritë se si, kur dhe ku do të punojnë punonjësit. Kjo shfaqet si një sfidë për organizatat, se si ato do të ruajnë kulturën e kompanisë, kreativitetin, identitetin dhe motivimin e punonjësve të tyre. Kjo gjithashtu ka implikime të mëdha për shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve dhe për shoqërinë në përgjithësi. Kompanitë dhe institucionet mund të vazhdojnë të vuajnë nga ulja e produktivitetit dhe duhet të menaxhojnë me më shumë kujdes sfidat e sigurisë së punonjësve. Kjo u vërejt realisht që në ditët e para të pandemisë, ku sondazhet treguan se 55% e të punësuarve ishin më pak produktivë dhe të angazhuar për shkak të punës në distancë (S&P Global Intelligence, 09.2020). Në një nivel më të gjerë shoqëror, një krizë globale e shëndetit mendor e përkeqësuar nga pandemia dhe mbylljet e detyruara prej saj, ka prodhuar ndikime marramendëse. Shkollimi i cenuar, kushtet e ndryshuara të punës, humbja e punës, izolimi dhe rënia ekonomike kanë vënë të gjitha moshat në rrezik të niveleve më të larta të depresionit, ankthit dhe humbjes së produktivitetit. Kostot e përkeqësimit të shëndetit mendor mund të rriten deri në 1.6 trilionë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme vetëm në SHBA (Cutler, Harvard University, 10.2020).

  1. PANDEMIA KA TREGUAR RËNDËSINË E BASHKËPUNIMIT PUBLIK-PRIVAT

Rreziqet janë me të vërtetë globale. Po si t’u përgjigjemi atyre? Përtej sfidave të shëndetit publik të krizës aktuale, qeveritë, agjencitë ndërkombëtare dhe kompanitë po luftojnë në dimensione të shumëfishta për t’u përgjigjur ndaj këtij rreziku global. Të gjitha organizatat mund të mësojnë shumë nga viti i kaluar. Sidoqoftë, në vend që të përgatiten për krizën e fundit, ata duhet të nxjerrin mësime të transferueshme që mund të zbatohen në rast kërcënimesh komplekse në të ardhmen. Mjafton të marrim parasysh atë që u arrit kur sektori privat dhe publik u bashkuan gjatë krizës, që solli:

Zhvillimin dhe shpërndarjen/ planifikimin e shpejtë të vaksinave të shumta.

Një ripozicionim të zinxhirëve të furnizimit dhe proceseve të prodhimit për të zhvilluar pajisjet e mbrojtjes personale (PPE) dhe pajisje të domosdoshme/ kritike mjekësore.

  • Aftësi për të kaluar në mënyra të reja të punës dhe në punë në distancë edhe në industritë me kufizime më strikte.

Kjo aftësi për të vepruar me një qëllim të vetëm duhet të institucionalizohet – objektivi i qëndrueshmërisë dhe rimëkëmbjes kombëtare dhe globale është më i madh se çdo organizatë dhe çdo rrezik i veçantë. Më shumë bashkëpunim në nivelin e të gjithë shoqërisë – mes sektorit publik dhe privat, komuniteteve dhe OJQ-ve – është thelbësor që të çojë me përparësi në zhvillimin e programeve stimuluese të rimëkëmbjes, që përfshijnë infrastrukturën e gjelbër dhe projektet e energjisë së pastër. Do të kërkohet partneritet gjithnjë e më i madh midis sektorit publik dhe privat për të aftësuar punëtorët për një ekonomi dixhitale në zhvillim. Ndërkohë që punohet për krijimin e mekanizmave të rinj të sigurimit nga pandemia dhe që mund të ndihmojnë në stabilizimin e kompanive gjatë një situate të zgjatur të krizës.

Për të ndërtuar dhe ruajtur qëndrueshmërinë, është e rëndësishme që biznesi të mbajë një “sy hapur” për ngjarjet me ndikim potencial në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Rishikimi i metodave të menaxhimit të riskut nuk mund të sigurojë që organizatat do të parashikojnë përçarjen tjetër të madhe. Kjo vëmendje duhet të pasohet nga përgatitja për t’u përgjigjur në mënyrë efektive, krijuese dhe bashkëpunuese. Pasiguria mund të jetë një burim rreziku, por trajtimi i pasigurisë me qartësi dhe shpejtësi veprimi është nxitësi më i madh i avantazhit konkurrues. Kjo është jetike për bizneset dhe komunitetin global për të ecur në mënyrë të qëndrueshme përpara, për të forcuar rezistencën e tyre ndaj goditjeve në të ardhmen dhe për avancim drejt prosperitetit afatgjatë.

Pritshmëritë nga mendimi ekonomik, nga institucionet ekonomike ndërkombëtare, Forumi Ekonomik Botëror, janë të mëdha në drejtim të evidentimit të çështjeve me interes mbarëbotëror, për të gjithë qeveritë, organizatat, bizneset, pse jo edhe qytetarët.