Shalsi: Paketë mbështetëse për turizmin si kurrë më parë. Detajet do t’i japë Rama


Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduart Shalsi njoftoi në A2 Business se qeveria ka përgatitur një paketë mbështetje për turizmin si asnjëherë më parë, por nuk dha detaje, pasi ato do t’i bëjë publike kryeministri Rama në ditët në vijim. Përballë përfaqësuesve të ndryshëm të bizneseve ai deklaroi se kjo paketë unike do të ketë aspiratat e biznesit.

“Lajm i mirë është sot se nuk do jap detaje për atë që kryeministri do zbulojë në ditët në vijim. Them që sektori i turizmit ka një paketë të veçantë me aspiratat e tyre dhe tonat se ku do të jetë turizmi. Do të ketë paketë unike për promovimin e turizmit dhe operatorëve turistikë. Detajet do t’i japë kryeministri. Do të ketë mbështetje si asnjëherë më parë”.

Zv.Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve Klinton Gërxhani e quajti qesharak buxhetin për këtë sektor dhe kërkoi që të rikthejnë punonjësit cilësorë në punë.

“Nuk kemi marrë atë që kemi kërkuar. Ne duam të qëndrojmë në biznes të rikthejmë punonjësit cilësorë që kemi humbur dhe forma grantesh. Buxheti është qesharak për kontributin që japim në ekonomi”.

Duke e konsideruar turizmin si prioritetin kryesor të qeverisë, Shalsi theksoi se po shqyrtohen paketa mbështetjeje për aktorët e tregut dhe operatorët turistikë, pasi është sektori më i prekur nga pandemia./A2CNN