Siguria ushqimore- Gabimet më të zakonshme që bëni në kuzhinë


Njerëzit preken shpesh nga sëmundjet që burojnë nga ushqimet e pasigurta ose të papërpunuara e të gatuara mirë.

Helmimi nga ushqimi është një prej tyre.

Helmimi shkaktohet nga ushqimi i kontaminuar nga bakteret siç janë campylobakter, salmonela, E. coli dhe listeria.

Ndonjëherë helmimi shkaktohet edhe nga viruse dhe parazitë.

Helmimi shoqërohet nga simptoma si të vjella, diare, ethe, dhimbje stomaku, muskuj dhe temperaturë.

Nëse simptomat nuk përmirësohen në 24 orë, atëherë duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Siguria ushqimore është shumë e rëndësishme për të parandaluar helmimin dhe jo vetëm.

Në këtë artikull do të mësoni për gabimet më të përhapura që bëhen në kuzhinë të cilat bien ndesh me sigurinë ushqimore.

Injoroni Temperaturën

Bakteret tek ushqimi shumohen kur temperaturat variojnë nga 5 deri në 60 gradë.

Kjo fashë temperature njihet edhe si ‘zona e rrezikut’ sepse mjaftojnë 20 minuta ekspozim të ushqimit në këtë temperaturë dhe bakteret do të shumohen me ritme të frikshme.

Ushqimi i gatuar duhet futur në frigorifer brenda dy orëve.

Frigoriferi

Zona e rrezikut nuk është vetëm në ambiente të jashtme por edhe brenda në frigorifer.

Ajo bëhet më e egër kur ju fusni në frigorifer një ushqim të gatuar të nxehtë.

Ushqimet e nxehta nuk duhen futur kurrë në frigorifer.

Ju duhet të prisni që ato të ftohen pak dhe më pas të ruhen në frigorifer.

Temperatura ideale e frigoriferit është 5 gradë ndërkohë që ajo e ngrirjes duhet të jetë nën 0.

Thyerja e Vezës Në Buzë Të Pjatës

Thyerja e vjezës në buzë të pjatës ose enës që do të përdorni është e gabuar.

Mjafton një grimcë e lëvozhgës së vezës dhe ju mund të kontaminoni të gjithë përbërësit e tjerë.

Përdorimi i Dërrasës Për Prerje Për Çdo Gjë

Dërrasa për prerje duhet larë dhe pastruar pas çdo përdorimi.

Për shembull, nëse e përdorni për të prerë perime, duhet ta lani dhe pastroni dhe më pas ta përdorni për prerjen e mishit ose anasjelltas.

E mira është që të keni dy ose tre dërrasa të vogla në varësi të ushqimit.

Shkrirja e Ushqimit Në Banak

Ushqimet e ngrira nuk duhen lënë të shkrijnë në banak në temperaturë ambienti.

Mënyra më e sigurtë por më e gjatë në kohë është ajo e frigoriferit.

Mos Larja e Duarve

Gjatë përpunimit dhe gatimit të ushqimit, amvisat duhet t’i lajnë duart shpesh dhe gjatë, sidomos pas prekjes së mishit të gjallë.

Duart duhen larë për të paktën 20 sekonda me ujë të nxehtë dhe sapun.

Ndërrimi i Sfungjerëve

Sfungjerët për larjen e enëve ose të banakut duhen ndërruar çdo dy apo tre javë.

Gjatë kësaj periudhe, ju mund t’i fusni një herë në mikrovalë për 2 minuta që të shkatërrohen bakteret.

Ai duhet larë dhe shtrydhur mirë e duhet lejuar të thahet siç duhet./AgroWeb.org