U bënë grup me Tiren/ Gjykata e Apelit liron nga burgu infermieren dhe sanitaren


Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka lënë të lira infermieren dhe sanitaren e spitalit C OVID2, të përfshira në skandalin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku dyshohen për korrupsion në bashkëpunim me Tire Alldervishin.

Kështu, mësohet se Apeli ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për Rukije Hoxhën dhe Sidorela Çelën.

Ndërkohë që për dy të pandehurat e tjera, Mira Buri dhe Sheqerije Koçin, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, me pretendimin se nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.

Ato pritet që ta apelojnë vendimin në ditët në vijim. Në Gjykatën e Tiranës ndaj tyre ishte dhënë masa e sigurisë e arrestit me burg për një afat 45-ditor, ndërsa prokuroria ishte ngarkuar me detyrën për të mbledhur prova të reja.

Kujtojmë që, sipas hetimeve të prokurorisë, si dhe zbardhjes së tabulateve telefonike, të dyja akuzohen se kishin biseduar shpesh herë me sanitaren Tire Alldervishi për mënyrën se si do t’i ndanin paratë e marra nga pacientët.

“Vetë vendimi i gjykatës dile në konkluzionin se nuk kishin bashkëpunuar me Tire Alldervishin. Vendimi i gjykatës është i drejtë”, tha avokatja para mediave.