20 vite më parë, kur Rraklli trondiste Anglinë dhe arbitri penalizonte Shqipërinë


Ata që e kanë ndjekur atë ndeshje kanë memorizuar gjithccka dhe nuk e harrojnë atë që Altin Rraklli bëri në fushë kundër Anglisë. Sulmuesi kavajas 20 vite më parë hapte takimin me një gol të tijin, ndërsa më pas në shtesë i mohuan golin e barazimit 2-2, një gol që u kthye në rast studimi dhe leksionesh, sikurse edhe e kujton sot FSHF, pikërisht kur Shqipëria dhe Anglia përballen këtë herë në “Air Albania Stadium”.

“Si sot 20 vjet më parë Altin Rraklli shënonte këtë gol për Shqipërinë ndaj Anglisë në ndeshjen e luajtur më 28 mars 2001 në stadiumin “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Kore – Japoni 2002”. Ishullorët triumfuan me rezultatin 3-1, por minutat e fundit ishin mjaft emocionuese.

Sulmuesi, i cili ishte futur në lojë si zëvendësues, realizoi në minutën e 93-të një gol të bukur duke zënë në befasi mbrojtjen angleze. E veçanta është se Rraklli realizoi sërish në minutën e 94-t kur rezultati ishte 1-2 për anglezët, duke barazuar në 2-2, por asistenti dhe më pas arbitri luksemburgas, Hamer, e anuluan golin për pozicion jashtë loje të Rrakllit, që në fakt ishte inekzistent.

Ky rast është përdorur si shembull dhe interpretuar më vonë edhe në seminaret e UEFA-s, duke e konsideruar gabim vendimin e arbitrave, pasi goli ishte i rregullt”, shkruan FSHF në postimin e bërë në rrjetet sociale.