Rrëfimi i rrallë i Bashkim Finos: Si e mora vesh që do bëhesha kryeministër


Deputeti i njohur i Partisë Socialiste Bashkim Fino u nda nga jeta ditën e sotme, pasi humbi betejën me Covid-19.

Ai u bë kryeministër i vendit në vitin e largët ’97 teksa mund të themi se ka një kontribut të gjerë në politikën shqiptare.

Në një nga intervistat e tij më të rralla, Fino ka treguar se si e mori vesh lajmin që do të bëhej kryeministër i vendit.

Pjesë nga intervista:

Dhe në këtë moment ju papritur u bëtë kryeministër i vendit…si ndodhi?

Pikërisht. Në një situatë të tillë, totalisht absurde, ndodhi kjo gjë. Atë natë po luaja tavëll me mikun tim të vjetër, Hito Hitën. Vajtëm në shtëpi sepse ishte më qetë, lokalet nuk ishin të sigurtë. Njerëzit vriteshin kot, rrinin me pistoletënë xhep si në filmat ëest. Bie telefoni. Del Namik Dokle i pari. Më thotë: Bashkim do të them një gjë, ti do të thuash se këtij i ka ikur mendja, por po të ishte për veten time do të pranoja. Sikur unë të të propozoj për kryeministër, ti çfarë do të thuash? Unë i thashë- mos bëj shaka në telefon, kjo nuk është për të diskutuar, por më thuaj ndonjë gjë të veçantë që ne nuk e shohim në televizor. E ai më thotë se:“Kemi biseduar me Berishën, kemi pranuar që të bjerë qeveria Meksi, kemi arritur në konkluzion, po ndajmë vendet e kabinetit, por ne i kemi vënë kusht Berishës për emrin e kryeministrit. I thamë të vinte Fatos Nanon, i thamë për mua e të tjerë, por ai ka vënë kushtin që kryeministri të mos jetë anëtar i kryesisë së PS-së. Ndërsa për ty ai është dakord”.

Nga fundi i bisedës kuptova se Namiku fliste seriozisht sepse në fillim kisha dyshim. Nëna ime dhe gruaja po dëgjonin. E unë them se: Namik nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë e të them që nuk vij, por është absurde sepse ka shokë më me shumë reputacion, nuk ka pse të vini deri tek unë.

Në në një moment të vetëm mendova se çfarë do të bëja, si do të sillesha, duke njohur kush ishte Berisha. Ishin shumë enigma që duheshin zgjidhur sepse unë vija nga Gjirokastra dhe nuk dija çfarë bëhej.

…Namiku më tha nuk do të jesh vetëm do të kesh shokët e partisë, por deri në orën 5.00 duhet kthyer përgjigje sepse pas kësaj ore i humb PS-së ky post. Fola me gjithë shokët e kryesisë në telefon, i fundit ishte Rexhep Meidani. Mbaj mend që ishte i ngjirur: ”Bashkim dua mendimin tënd, jam i lodhur nga gjithë këto takime”-më tha. Dakord- i thashë unë.

Ju njiheshit më parë me Berishën, a ka një arsye të qartë se pse ai ju zgjodhi pikërish ju?

Njihesha më parë në mënyrë shumë institucionale. Kur kam qenë kryetar bashkie e kam pritur disa herë presidentin Berisha. Kam treguar civilizim, në një kohë kur shumë kryetar bashkie të tjerë të PS-së nuk merrnin pjesë në aktivitete ku ishte Berisha.

Muajt e qeverisjes tuaj si i kujtoni? Marrëdhëniet me Berishën? A mendoni se shumë gjëra mund t’i bënit më mirë?

Unë jam munduar të jem sa më institucional me Berishën. Nëse kërkoni gazetat e asaj kohe nuk do të gjeni asnjë thënie që kryeministri Fino të ketë fyer presidentin, apo të bëjë luftë politike me Berishën. Nuk e kam bërë këtë për dy qëllime. E para nuk duhet të ngatërroja punët e kryeministrit me atë të presidentit, që për herë të parë ishin një i PS-së, një i PD-së. Së dyti, fansat e mi ishin të shumtë, po të mendonim se kishim një shumicë në parlament që e donin Berishën. Unë doja të reflektoja tek ata se unë nuk kam ardhur këtu të marr revanshin ndaj Berishës, por kam ardhur të bëj qeveri të pajtimit kombëtar për të minimizuar në maksimum luftën civile.

Diçka të shpërthente mes PS-së dhe PD-së dhe në të vërtetë shpërthente lufta civile. Kjo ishte thembra e Akilit, që luftojaçdo ditëtë mos ndodhte. Por unë jam i dëshpëruar që gjatë qeverisjes time pati shumë të plagosur, të vrarë.

Si erdhi çarja mes jush dhe Berishës?

Pas fitores së PS-së në zgjedhje, mbaj mend që një natë Saliu merr në telefon vonë dhe më thotë se: “Bashkim kam të dhëna se do të shpërthejnë Bankën e Shqipërisë dhe do të nxjerr Gardën e Republikës që të patrullojë”. Kjo ka qenë fjalia për të cilën kemi bërë debat një orë. Jemi zënë si rrugaçë me njëri-tjetrin.

I kam thënë: Unë do të dal nesër t’u them njerëzve se Berisha po bën grusht shteti. Do të njoftoj faktorin ndërkombëtar”. Ishte një debat që kaloi fjalorin etik mes një kryeministri dhe presidenti. Unë dhe shokët e mi socialistë jemi shqetësuar dhe kemi bërë telefonata tërë natën me gjithë përfaqësuesit diplomatikë duke nisur nga Ollbrajti, Prodi, Vranicki, Simitisi. Nga ora tre e natës u qetësua gjendja. Të gjitha ata bënë telefonata me Berishën duke i thënë se do të mbajë përgjegjësi për një gjë të tillë. Presioni ndërkombëtar ishte i jashtëzakonshëm. Të nesërmen kam dhënë një konferencë për shtyp ku i kam thënë popullit të Tiranës se “keni bërë gjumë të qetë, por atë do t’ua prishte Berisha”. Pas këtij momenti Berisha më thirri në zyrë dhe më kërkoi të bëhesha prapë kryeministër. I thashë: ”Mos bëj hipokrizi me mua, roli ynë tashmë mbaroi”.